Emisari amerikan për Ballkanin: Të mos dërgohen njësi speciale në një vend ku ka KFOR

Emisari amerikan për Ballkanin: Të mos dërgohen njësi speciale në një vend ku ka KFOR

Aktuale September 25, 2021 - 00:16

Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga retorika e dëmshme, të diskutojnë çështjen e targave në Bruksel dhe të mos militarizojnë situatën aktuale në kufi, tha për Zërin e Amerikës Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i ri i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Escobar, i cili më parë ishte zëvendës ambasador amerikan në Serbi dhe mori postin nga Matthew Palmer në fillim të shtatorit, thotë se SHBA-ja është e angazhuar intensivisht me partnerët evropianë për shkak të rritjes së tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës dhe shpreson për përparim javën e ardhshme.

"Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen nga retorika e dëmshme dhe të përqëndrojnë vëmendjen dhe energjinë e tyre në dialogun e mbështetur nga BE, një dialog që ne e mbështesim plotësisht", tha Garbiel Escobar, duke shtuar se ai është në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun, përfaqësues i dialogut të BE-së mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Zeri.info.

"Ai ka disa propozime të mëdha, ai po përpiqet të sjellë të dyja palët në Bruksel, si për çështjen e targave, për të diskutuar një zgjidhje të qëndrueshme, dhe ka disa zgjidhje të mira, por u takon të dyja palëve të bien dakord të diskutojnë për ato, dhe të shkojnë në Bruksel që ta shqyrtojnë atë çështje. Megjithatë, unë mendoj se detyra e të dyja palëve nuk është që të militarizohet kjo çështje, të mos dërgohen njësi speciale në një vend ku ka KFOR dhe ku nuk ka nevojë për këtë. Pra, sa i përket çështjes së targave, do të donim të shihnim njëfarë përparimi në Bruksel në shtatë ditët e ardhshme”, thotë Escobari në një bisedë për shërbimin ballkanik të Zërit të Amerikës, e cila u zhvillua nga drejtuesi i shërbimit shqiptar, Arben Xhxho, raporton Zeri.info.

Diplomati amerikan shton se shumë çështje të menjëhershme duhet të zgjidhen, siç janë çështjet e personave të zhdukur dhe energjisë - duke theksuar se gjithçka duhet të zhvillohet përmes dialogut.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një zgjidhje të bazuar në njohjen reciproke midis dy vendeve dhe mbështet dialogun nën kujdesin e BE-së, por ky proces ka vazhduar për 10 vjet pa shumë përparim. I pyetur nëse është koha për një qasje të re, Escobari tha se është koha për të rinovuar përpjekjet për dialog.

"Dialogu ka nevojë për mbështetje, mbështetje evropiane", u shpreh ai në këtë intervistë. /Zëri