Profesori i njohur universitar: Dialogu qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë

Profesori i njohur universitar: Dialogu qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë

Aktuale December 08, 2021 - 10:23

Profesori universitar i filozofisë dhe analisti Blerim Latifi ka thënë se Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi tha se Serbia nuk lë ditë pa e përmendur se s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, ky nuk është dialog e as negociatë.

“Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Evropian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave, i premtuar qëmoti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Evropian po vepron njëjtë si Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton te pala e dobët”, ka shkruar ai.

Latifi thotë se BE-ja i kërkon Kosovës që t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, e sipas tij pse nuk po e zbatojnë obligimin për liberalizimin e vizave.

“Na thonë se keni obligim t'i zbatoni marrëveshjet e nënshkruara. E ju zotërinj burokratë të Brukselit pse nuk po e zbatoni obligimin për liberalizimin e vizave? Pse këto standarde të dyfishta? Kuptohet lehtë: standardet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në diplomacinë e të mbështeturit për muri”, tha ai.

Profesori universitar thotë se dialogu është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë.

“Ky dialog qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit evropian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim. Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryn”, ka përfunduar Latifi. /Zëri