Kurti kujton Idriz Gucatin: Respekt për dëshmorët që mbrojtën Kosovën [video]
Foto: Laura Hasani

Kurti kujton Idriz Gucatin: Respekt për dëshmorët që mbrojtën Kosovën [video]

Aktuale May 26, 2026 - 13:46

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar dëshmorin Idriz Bajram Gucati në përvjetorin e rënies së tij heroike, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi ngjarjen e 2 gushtit 1998, kur sipas dëshmive të familjarëve dhe miqve, Idriz Gucati ishte lajmëruar përmes radiolidhjes se forcat serbe kishin rrethuar fshatin Jabllanicë, por kishte refuzuar të tërhiqej.

“Pa shkel në trup temin, nuk munden me shkel në fshat brenda”, citoi Kurti fjalët e dëshmorit të transmetuara nga dëshmitarët, teksa theksoi se ai mori një vendim heroik dhe patriotik, duke rënë në ballë të luftës së UÇK-së në mbrojtje të Kosovës.

Kryeministri në detyrë kujtoi po ashtu edhe masakrimin e Azë Zekë Brahimajt dhe nënës së saj 95-vjeçare nga forcat serbe në të njëjtën ditë, duke i cilësuar ato si krime makabre që nuk do të harrohen kurrë.

“Ne kemi gjithë respektin dhe mirënjohjen për dëshmorët e kombit të cilët ranë heroikisht në luftën çlirimtare, pa të cilën nuk kishte ndodhë çlirimi i Kosovës, pa të cilën nuk kishte ndodhë intervenimi i NATO-s dhe pa të cilën nuk do të ishim këtu që të takohemi, të flasim lirshëm e të mund të diskutojmë për përparimet e Kosovës", theksoi Kurti gjatë vizitës në familjen e Idriz Gucatit në Prizren.