Ndërpritet seanca ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut
Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut është ndërprerë përkohësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të disa problemeve teknike, raporton Ekonomia Online.
Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, bëhet fjalë për çështjen penale ndaj Zllatomir Peshiqit, Mlladen Cirkoviqit, Radomir Markoviqit, Dushko Adamoviqit, Obrad Stevanoviqit, Zhivko Trajkoviqit, Goran Radosavleviqit, Bogolub Janiçqviqit, Sllavisha Ivanoviqit, Boshko Vukiqeviqit, Sreten Popoviqit, Nikolla Petroviqit, Kërsman Jelliqit, Lubisha Stojimiroviqit, Bozhidar Deliqit, Radojko Stefanoviqir, Dragan Zhivanoviqit, Milosh Gjoshanit, Lubinko Cvetiqit, Bozhidar Filiqit, Milovan Kovaçeviqit, për shkak të veprës penale "Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Seanca po mbahej në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata ende nuk ka njoftuar se kur do të vazhdojë seanca.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se disa prej avokatëve të të akuzuarve, nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, andaj në mungesë të kushteve ligjore seanca shtyhet.
Po ashtu Namani-Hajra tha se për katër të akuzuar mungojnë avokatët.
Në anën tjetër, prokurori special Ilir Morina tha se Prokuroria ka bërë përpjekje të marrë informacione se cilët janë avokatët e caktuar ex officio nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke kërkuar përmes e-mailit listën e tyre, në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.
Morina tha se vetëm 10 avokatë janë paraqitur në Prokurori për t’u pajisur me shkresa të lëndës, andaj ftoi avokatët që nuk janë paraqitur për t’i marrë shkresat e lëndës pas përfundimit të seancës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhejtor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve. /EO