Eurodeputeti çek kundërshton heqjen e vizave për Kosovën

Aktuale February 06, 2016 - 23:36

Eurodeputeti çek Thomas Zdechovsky, është deklaruar kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, një hap i tillë do të hapte një valë të re migrantësh në Evropë.

Deputeti çek në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova nuk është shtet i plotë demokratik që respekton të drejtat e pakicave. Përveç kësaj, sipas tij, institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen vazhdimisht për korrupsionin në polici, tek autoritetet dhe tek politikanët.

“Për këtë arsye, nuk pajtohem me presidentin e Komisionit Evropian, [Jean-Claude] Juncker dhe me zëvendëspresidenten [Federica] Mogherini se kosovarët duhet të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian”, ka thënë Zdechovsky për “Parlamentnilisty”, transmeton Koha.net, duke përmendur kështu arsyet e tij se përse BE duhet ta vonojë edhe për së paku dy vjet heqjen e vizave për popullin e Kosovës.

“Si pjesë e kushteve që duhen përmbushur është edhe garantimi se nuk do të ketë eksod të kosovarëve në BE siç ka ndodhur në të kaluarën, pastaj është lufta kundër krimit të organizuar, apo parandalimi i diskriminimit ndaj popullatës serbe”, ka shtuar ai.

Sipas tij, pengimi i largimit të masë të qytetarëve nga Kosova është bërë duke shtrënguar kushtet për liberalizim.

“Nëse ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, Evropa duhet të përgatitet për një valë të re migrantësh nga Ballkani”, ka theksuar Zdechovsky. Arsyeja e largimit, sipas tij, është “shkalla e lartë e papunësisë, pasiguria dhe problemet ekonomike që i bëjnë shumë të rinjtë të mos shohin të ardhme në Kosovë dhe të mësyjnë Evropën Perëndimore, veçanërisht Gjermaninë”, transmeton Koha.net.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian kishte rekomanduar anulimin e regjimit të vizave për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Edhe për Kosovën do të ndodh liberalizimi, por pas plotësimit të kushteve, ndërsa sipas presidentit të Komisionit Evropian, Juncker, “kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt”.