Rritet ndriçimi i hapësirave publike në Prishtinë

Aktuale February 07, 2016 - 11:10

Lagjet, parkingjet, hapësirat publike të cilat dikur ishin të pandriçuara në Komunën e Prishtinës, tani nuk janë të tilla, pasi që për dy vite mandat qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti ka arritur që të ndriçoj rreth 80 kilometra rrugë të hapësirave publike, e gjithë kjo u bë me projektin për zgjerimin të ndriçimit në Komunën e Prishtinës.

Rrugët që të shpien në Emshirë, në Veternik, në Matin 1, në Arbëri e shumë të tjera rrezikonin sigurinë e qytetarëve, aty mbizotëronte errësira dhe ulërima e qeneve endacakë, e shumë herë u rrezikuan edhe nga të njerëzit dashakeq, por Komuna e Prishtinës ka arritur që këto rrugë urbane t’i ndriçojë. Nuk janë vetëm rrugët urbane të cilat u ndriçuan, të ndriçuara janë edhe rrugët e shumta nëpër fshatra.

Image

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha për KosovaPress se Komuna e Prishtinës ka marr vendim që të jenë më agresiv në zgjerimin e ndriçimit publik, por veç kësaj ai tha se do të jenë agresiv edhe në mirëmbajtjen e ndriçimit ekzistues publik.

Ndriçimi publik ka për synim sigurinë e qytetarëve dhe ndër tjera bëhet edhe për shfrytëzimin e hapësirave publike nga qytetarët, pasi që këto hapësira në orët e vona të mbrëmjes po mbesin të pashfrytëzuara, e kjo e ka vetëm një arsye rrezikshmëria e errësirës.

Nuk mund të flitet për një qytetet të mirë organizuar nëse nuk ka ndriçim publik, kështu e thotë Sejdiu. Madje nënkryetari i Komunës së Prishtinës thotë për KosovaPress se nëse nuk ka ndriçim publik nuk mund të flitet për një qytet pa krim.

Image

Synimi i qeverisjes së tanishme në Komunën e Prishtinës, është që gjatë mandatit të tyre të një përqindje e madhe e rrugëve të Prishtinës, duke përfshirë ato pjesë rurale dhe urbane të jenë të mbuluara me ndriçim publik.

Ai theksoi se kanë edhe analizën e vitit 2016/2017, ku përmes saj do të mund të rishikojnë mundësinë e kursimeve të Komunës së Prishtinës sa i përket faturës së energjisë elektrike dhe rrjedhimisht mjetet e mbetura të shfrytëzohen për zgjerim tutje të ndriçimit publik.

Në ndriçimin e hapësirave publike pati edhe rrugë të cilat krijuan vështirësi në ndriçimin e tyre, pasi që në ato hapësira kishte rrugë në mes të cilat qenë të pandriçuara.

Por nuk janë vetëm rrugët ato të cilat u ndriçuan. Në Komunën e Prishtinës u ndriçuan edhe 8 parkingje.

Lidhur me hapësirat e pandriçuara brenda kampusit universitar e cila tani po shfaq një rrezikshmëri për kalimtarët në orët e mbrëmjes, Sejdiu thotë se kjo hapësirë e cila shfrytëzohet nga Universitetit i Prishtinës, të shndërrohet në një park qendror të qytetit duke e lidhur edhe me sheshin.

KosovaPress ka vizituar nga afër hapësirat e ndriçimit publik në Komunën e Prishtinës. Se zgjerimi i rrjetit për ndriçim publik është duke u rritur e thotë edhe udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri.

Derisa rritet ndriçimi i hapësirave publike, po rritet edhe numri i kresave të qytetarëve. Qorri ka treguar se kërkesat e qytetarëve janë shtuar, pasi që ata kanë parë që vitet e fundit është bërë investim i madh në zgjerimin e ndriçimit./KP/