Këta janë 85 heronjtë e 2500 dëshmorët e Kosovës (Video)

Aktuale February 07, 2016 - 11:42

Nuk ka cep të Kosovës pa lapidarë, përmendore, shtatore, varreza e komplekse memoriale që dëshmojnë jo vetëm robërinë e thellë të këtyre trojeve, por edhe luftën e përjetshme të kosovarëve për liri.

E derisa të rënët përgjatë historisë janë pa numër, deri në ditët tona kanë mbërritu emrat e vetëm pak prej tyre, apo më saktë, vetëm të atyre që e bënë historinë.

Këta janë heronjtë e Kosovës.

Hero i Kosovës është asht titulli më i lartë që shteti jonë 8-vjeçar jep përmes institucionit të Presidentit.

Që prej dekretit të Presidentit Ibrahim Rugova, të 10 qershorit 2003 për shpalljen e Abdyl Frashërit, themeluesit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si Heroi i parë i Kosovës, e deri tash, Kosova i zyrtarisht 85 heronj.

Abdyl Frashëri, sikurse Sulejman Vokshi, Isa Boletini, Bajram Curri e Shote Galica janë gjithashtu edhe Heronj të Popullit në Shqipëri.

Nga Lidhja e Prizrenit deri mbas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, lëvizja kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, si dhe lufta e fundit e viteve ’90’t janë tri periudhat historike që ma së shumti janë vlerësuar me tituj.

Kështu, përveç Hasan Prishtinës e Azem Galicës, heronj të Kosovës janë edhe Shaban Polluzha e Jusuf Gërvalla, sikurse Sali Çeku, Fehmi Agani e Zahir Pajaziti. E padyshim Adem Jashari.

Ibrahim Rugova ishte presidenti që dha më së paku tituj Hero i Kosovës – vetëm 10, e më së shumti Atifete Jahjaga, me 38.

Brenda pak ditëve të Presidencës së tij, Behgjet Pacolli nuk dha asnjë titull, ndërsa Fatmir Sejdiu dekretoi 22 heronj të Kosovës.

E Jakup Krasniqi e ka ushtruar edhe këtë detyrë të Presidentit, duke dhënë 10 tituj të heroit të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Adem Demaçin.

E nëse për heronjtë numri 85 është i saktë, për 2500 dëshmorët e Kosovës – shumica prej luftës së fundit – Xhavit Jashari ka dyshime se janë më shumë.

Jashari thotë se në mesin e atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën ka edhe të huaj.

Në këtë vend të shtypur ndër shekuj, vështirë të besuar se ky është numri i saktë i dëshmorëve.

Por ajo çka mbetet të urohet është që 22-vjeçari Enver Zymberi, që u vra me 26 korrik 2011, me qenë heroi i fundit që bjer për Kosovën. /RrokumTv/