SHBA-të mbështesin Kosovën në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Aktuale February 09, 2016 - 11:46

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, po qëndron në Washington, në një vizitë zyrtare disa ditore.

Gjatë ditës së parë, ministri Hyseni, takoi Bruce Swartz, zëvendës-asistent i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Wayne Salzgaber, zëvendës-drejtor i Byrosë Nacionale Amerikane për INTERPOL.

Temat kyçe të bisedave që ministri Hyseni pati në këto takime ishin parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, luftimi i krimit, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar policor.

Bashkëbiseduesit amerikanë vlerësuan lartë të arriturat e Kosovës në përballjen e saj me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.

U konstatua se tashmë Kosova ka demonstruar efikasitet në parandalim të këtyre dukurive, që Kosovën e bëjnë shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për shumë vende tjera të botës.

Vëmendje e veçantë gjatë këtyre takimeve iu kushtua përfshirjes më të madhe të Kosovës në bashkëpunimin policor ndërkombëtar, veçanërisht anëtarësimit në INTERPOL.

Ministri Hyseni mori përkrahje të pa kursyer amerikane për arritjen e këtyre objektivave. Në të gjitha takimet u theksua partneriteti strategjik funksional midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Në vijim të vizitës, ministri Hyseni do të ketë takime të shumta dhe do të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi për fushën e forenzikes me FBI-në.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Washington, ministri Hyseni është ftuar të mbajë një ligjëratë në “George Washington University”.

Image