Virusi Zika në Kosovë do të kalojë me raste të izoluara

Aktuale February 10, 2016 - 10:57

Virusi më i përfolur i kohëve të fundit, i cili bartet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave, i njohur si virusi Zika, nuk është identifikuar ende në Kosovë.

Ky virus nuk ka gjasa të përhapet si epidemi në Kosovë, por vetëm me raste të ndara.

Kështu tha për KosovaPress, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani.

“Duke marrë parasysh se ende nuk ka rrezik për shpërthim të madh epidemik, Kosova është e përgatitur që të ndërmarrë masat e para në rast të paraqitjes eventuale, të një rasti apo të disa rasteve. Si dhe paraqitjes eventuale të rasteve nga Shqipëri që mund të jenë rrezik potencial që të përhapen edhe në Kosovë, si raste që mund të infektohen qytetarët të cilët udhëtojnë për në veri”, tha Ramadani.

Ai tha se meqë ende nuk ka medikamente kundër këtij virusi, qytetarët duhet të vetëdijesohen për metodat parandaluese.

“Njerëzit në radhë të parë duhet të kenë kujdes nga pickimi i mushkonjave, sepse mushkonjat vijnë nga ajri dhe njerëzit nuk janë të mbrojtur çdo herë. Në radhë të dytë është frekuenca më e madhe e pickimit të mushkonjave gjatë ditës, në perëndim të diellit dhe herët në agim. Këto janë kohërat e ditës më të shpeshta ku mund të ndodhë pickimi nga mushkonjat. Pastaj e treta është që të mbrohen në veshmbathje, që të mos kenë ekstremitete të zbathjes dhe zhveshjes ku mund të pickojnë mushkonjat, dhe e katërta është përdorimi i repelentëve, dëbuesve apo larguesve të mushkonjave përmes materieve kimike të ndryshme që dëbojnë ato dhe mjete të ndryshme nga pickimi”, tha Ramadani.

Ai tha po ashtu se nëse dikush ka simptomat klinike të virusit që janë hipertemperatura, ethet, plogështia, dhimbjet në nyje dhe skuqja e syve, ata duhet të lajmërohen në Klinikën Infektive për trajtim të mëtejshëm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti përmes telefonit tha për KosovaPress se nëse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e sheh të nevojshme që të mobilizohen institucionet për parandalimin e këtij virusi, atëherë do të merren masa. Por tani për tani, Hoti tha se Kosova nuk është e rrezikuar nga ky virus.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, por ai nuk ka mundur të prononcohet pasi që ka qenë në pushim mjekësor.

Në anën tjetër, shumë nga qytetarët nuk kanë pranuar të prononcohen pasi që nuk kane pasur njohuri për këtë virus, ndërsa të tjetër që janë prononcuar kanë treguar shumë pak njohuri rreth virusit Zika.

“Ishalla nuk vjen te na, se këtu e gjen ambientin e përshtatshëm që të zhvillohet në mënyrë revolucionare”, ka thënë një qytetar.

“Kam dëgjuar që është përhapur ky virus dhe për shkak të tij lindin fëmijë me defekte në kokë diçka... përndryshe nuk jam informuar më gjatë. Për në Shqipëri nuk kom dëgjuar, por e di që diku më larg, domethënë është shfaqur”, ka thënë një tjetër qytetar.

Edhe Liridona Nishefci, qytetare, ka thënë se ka dëgjuar përmes televizionit, por ka theksuar se nuk di më shumë për të...

Lumnie Salhiu, një qytetare tjetër, ka thënë se ka lexuar për këtë virus përmes portaleve dhe thotë se pasojat e tij janë “deformimet”.

“... edhe që është bartë përmes një organizate. D.m.th vetë e kanë shpikë virusin. Ai po u bartke përmes insekteve... tek ne temperaturat janë në minus njëherë, s’e besoj që mundet me u bartë”, ka shtuar ajo.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi këtë virus si një rrezik të nivelit të lartë, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me Ebola-n. Ndërsa ekspertët bëjnë të ditur se virusi Zika tashmë është shpërndarë në 23 shtete dhe ka prekur rreth katër milionë njerëz. 

Virusi Zika përhapet nga mushkonja Aedes aegypti, që gjithashtu mbart ethet tropikale dhe verdhëzën. Virusi u zbulua së pari në Afrikë në vitet 1940, por tani është përhapur në Amerikën Latine.

Shkencëtarët thonë se kanë prova në rritje për një lidhje me mikrocefalinë, që shkakton lindje të bebeve me kokë të vogël. Ndërsa virusi Zika mund të sjellë temperaturë dhe skuqje të lëkurës, shumica e njerëzve nuk shfaqin simptoma dhe nuk ka kurë të njohur.

E vetmja mënyrë e njohur për të luftuar virusin është të pastrohet uji i pellgjeve ku rrinë mushkonjat dhe të merren masa për mbrojtjen kundër pickimeve të mushkonjave.