Hasani: Bashkë në zgjedhje, ose Nisma shkon e vetme

Aktuale February 10, 2016 - 11:48

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani, ka deklaruar se ky subjekt politik është duke punuar që opozita të shkojë e bashkuar në zgjedhje.

Hasani në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar se qytetarët e Kosovës duan që opozita të jetë e bashkuar edhe në zgjedhjet e parakohshme kurdo që ato mbahen. “Nisma dëshiron dhe punon që opozita të shkojë e bashkuar në zgjedhje, sepse vetëm të bashkuar ne mund t’ia ofrojmë vendit ndryshimin. Po ashtu, dëshirën për të shkuar në një listë e kam parë edhe në tubimet që i kemi mbajtur me qytetarët. Populli kërkon që ne të qëndrojmë të bashkuar për ta ndryshuar Qeverinë, pasi është e sigurt se opozita e bashkuar bashkë me shoqërinë civile do t’i fitojë zgjedhjet”, ka thënë ai.

Hasani ka deklaruar se nëse të dy partitë tjera opozitare bëhen shkaktare për të mos shkuar të bashkuara në zgjedhjet e reja, atëherë Nisma për Kosovën nuk do të shkojë me asnjërën, por do të garojë e vetme. “Por nuk ia vlen të shkojmë të ndarë, sepse cilado që bën ndonjë devijim, bëhet shkaktare për prishjen e unitetit. Unë jam i bindur se të dy partitë e tjera opozitare Lëvizja Vetëvendosje! dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kuptojnë si ne, sa i rëndësishëm është projekti i përbashkët, i cili është shpresa e vetme për ndryshim. Ne do të punojnë dhe të jemi sa më fleksibil për t’ia ofruar Kosovës këtë mundësi”, ka deklaruar Bajram Hasani, anëtar i Kryesisë së Nismës.