Çollaku: Kemi përmbushur kriteret e caktuara për heqjen e vizave

Aktuale February 11, 2016 - 12:00

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur në takim njoftues ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanović, të cilës i ka thënë se aktualisht ndodhemi në periudhën vendimtare dhe presim një vlerësim meritor që do t’i mundësonte qytetarëve tanë të udhëtojnë pa viza gjatë këtij viti në shtetet e zonës Schengen.

Ministri Çollaku e njoftoi ambasadoren kroate për zhvillimet e rëndësishme të ndërlidhura me agjendën evropiane të vendit e sidomos për punën e bërë në kuadër të procesi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Institucionet tona kanë përmbushur kriteret e caktuara për heqjen e vizave. Kemi punuar shumë në këtë proces dhe kemi arritur të bëjmë reforma të mëdha në kuadër të këtij procesi. Aktualisht ndodhemi në periudhën vendimtare dhe presim një vlerësim meritor që do t’i mundësonte qytetarëve tanë të udhëtojnë pa viza gjatë këtij viti në shtetet e zonës Schengen”, ka thënë ministri Çollaku.

Sipas një komunikate të MIE-së, Çollaku ka biseduar me ambasadoren e Republikës së Kroacisë edhe për përgatitjet që po bënë Kosova për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit duke theksuar se ekspertiza e Kroacisë në këtë pikë do të vazhdojë të jetë e mirëseardhur për institucionet e Kosovës.

Nga ana tjetër, ambasadorja e re e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanović ka rikonfirmuar përkrahjen e shtetit të saj ndaj Kosovës, rrugës së saj drejtë BE-së e posaçërisht procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, ka theksuar se Kroacia do ta ndihmojë Kosovën edhe gjatë periudhës së zbatimit të MSA-së.