Ekonomia

Ballina / Ekonomia / Ekonomia
Mikrofinancat, interesi për kredi 23.47 %
Besiana Xharra Publikuar: 24.07.2013 - 08:51

Norma mesatare e interesit për kredi nëpër institucionet mikrofinanciare (IMF) në vend, edhe më tej vazhdon të jetë tejet e lartë.Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se norma mesatare e interesit nëpër këto institucione ka qenë 23.47 për qind, gati edhe një herë më e lartë se norma e interesit e cila aplikohet për kredi nëpër bankat komerciale në vend.

“Normat mesatare të interesit në kreditë e lëshuara nga institucionet financiare, kryesisht karakterizohen me një nivel relativisht më të lartë, krahasuar me normat mesatare në kreditë e lëshuara nga bankat. Një nga faktorët që ndikojnë në norma më të larta të interesit në kreditë e IMF-ve qëndron në faktin se IMF-të nuk e kanë të drejtën e pranimit të depozitave nga qytetarët, dhe rrjedhimisht IMF-të drejtohen në kërkimin e fondeve tjera financuese, si institucione ndërkombëtare financiare, tregje të kapitalit apo edhe banka lokale, të cilat kanë norma të larta huazuese”thuhet në raport.

Po ashtu, sipas raportit të BQK-së, një pjesë e konsiderueshme kredive të IMF-ve destinohen për sektorë ekonomikë që konsiderohen me rrezikshmëri më të lartë, siç është sektori i bujqësisë.

Sipas raportit po ashtu, kërkesat për kolateral, garanci etj., dhe në përgjithësi procedurat më të lehta për kredimarrje mund të arsyetojnë normat më të larta të interesit në kredi, si mbulesë për rrezikun e moskthimit të kredive.

“Norma mesatare e interesit në kreditë e IMF-ve në vitin 2012 ishte 23.47 për qind. Megjithatë, nëse përcillet trendi i normave mujore të interesit, vërehet se normat e interesit kanë pësuar ndryshim gjatë vitit 2012. Për shembull, në periudhën janar-mars, normat e interesit në kredi qëndruan në një nivel jo shumë të ndryshueshëm. Megjithatë, prej muajit maj deri në muajin korrik kur edhe u shënua norma më ulët e interesit prej 21.73 për qind, vërehet një rënie e njëpasnjëshme e kamatave”, thuhet më tej në raport.

Sipas afatit të maturimit, normat më të larta të interesit u regjistruan në kreditë me afat maturimi deri në 1 vit, me një mesatare prej 24.78 për qind për vitin 2012. Norma më e lartë e kredisë në kuadër të kredive me afat maturimi të shkurtër ishte 29.34 për qind, ndërsa norma më e ulët e interesit në këto kredi ishte 25.88 për qind. Norma mesatare e interesit në kreditë me afat maturimi prej 1 deri në 5 vite ishte 23.49 për qind, ku norma më e lartë që u evidentua ishte 28.57 për qind, ndërsa norma më e ulët ishte 24.53 për qind”thuhet në raport.

Përndryshe sipas raportit vjetor të BQK-së shihet se gjatë vitit 2012 vlera e kredive në IMF arriti 77,5 milionë euro, e ku vërehet një rënie prej 8,1 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ekonomia