Ditari

Ballina / Ditari / Ballkan & Botë
A kishte supervullkanë në Mars?
Publikuar: 06.10.2013 - 12:32

Debati duket shpërthyes. Një studim i publikuar të enjten në revistën “Nature”, i cili madje zë faqen e parë, thekson se disa kratere shumë të moçme në Mars janë dëshmi e erupsioneve masive të supervullkanëve që kanë ndodhur para më shumë se 3 miliardë vjetësh.

Joseph Michalski dhe Jacob Bleacher, hulumtues në Muzeun e Historisë Natyrore të Londrës, respektivisht në Goddard Space Flight Center të NASA-s, analizën e tyre e mbështesin në të dhënat topografike ajrore të një rajoni të veçantë të quajtur “Arabia Terra”. Mirëpo, teoria e tyre nuk gëzon mbështetje të gjerë.

Shkencëtarët kanë gjetur ngjashmëri ndërmjet shumë kratereve marsiane me forma enigmatike dhe kalderave gjigante tokësore, do të thotë të strukturave gjeologjike që rezultojnë nga shembja e dhomave magmatike gjatë erupsioneve shpërthyese titanike.

Sikur, për shembull, rasti i liqenit Toba, në Sumatra të Indonezisë, mbeturinë e një erupsioni i cili para 78.000 vjetësh kishte nxjerrë 2800m3 shkëmbinj e hi në atmosferë. Ose kaldera e Yellowstone, që ndërlidhet me dy erupsione që kanë ndodhur para 2,2 milionë respektivisht 640.000 vitesh.

Zakonisht, “supervullkanë” i quajmë vendet ku kanë ndodhur këto zhvillime gjeologjike jashtë normave, të cilat çrregullojnë klimën për qindra vjet dhe rezultojnë me zhdukjen e specieve të tëra.

“Ideja se një aktivitet i madh vullkanik ka ekzistuar në Noachien (e para prej tri epokave gjeologjike marsiane që ka përfunduar para rreth 3.7 miliardë vjetësh), nuk është aq e re”, thotë David Baratoux, hulumtues në Institutin për Kërkime Astrofizike dhe Planetologji (IRAP). Çështja është nëse Michalski dhe Bleacher kanë në dorë burimin e këtij vullkanizmi.

“Për shkak të erozionit, pra deformimit të strukturave, është e vështirë të dallohet sigurt vetëm në bazë të të dhënave morfologjike një krater me përplasje të gërryer i një kaldera vullkanike të gërryer”, nënvizon gjeologu. Ai shpreh keqardhje që autorët nuk kanë mundur të përdorin të dhëna mineralogjike të sipërfaqes për ta mbështetur studimin e tyre.

“Teoria është interesante por nuk mbështetet në përshkrime kualitative”, thotë, ndërkaq, Fabrice Gaillard, hulumtues në Institutin e Shkencave të Tokës në Orléans, i cili mbetet “mjaft i rezervuar” rreth rezultateve të pretenduara. “Ata ndoshta kanë të drejtë por demonstrimi i hipotezës nuk është shumë bindës”, shton ai.

Nicolas Mangold, specialist i madh i gjeologjisë marsiane në universitetin e Nantes dhe anëtar i ekipit shkencor të misionit “Curiosity”, nuk ngurron ta quajë studimin “të kritikueshëm” në argumentimin e tij dhe përmend një interpretim “tejet spekulues” të një enigme të vërtetë gjeologjike.

Gjithsesi, hulumtuesit, sikurse edhe rilexuesit e “Nature”, janë joshur nga kapaciteti i kësaj teorie për t’u “përshtatur ” me disa karakteristika gjeologjike të Marsit. “Kjo e shpjegon mirë morfologjinë në shtresa të sedimenteve marsiane. Çdo erupsion shkakton një ngrohje të befasishme që vijohet nga një ftohje progresive para erupsionit të ardhshëm”, detajon Fabrice Gaillard.

François Forget, specialist i atmosferës marsiane, nuk flet rreth analizës gjeologjike në kuptimin e plotë të fjalës të paraqitur në artikull. Ndërsa, ai konstaton se teoria e “supervullkanëve” mundëson të kuptohet më mirë prania para tre miliardë vjetësh e një atmosfere kompatibile me praninë e ujit të lëngshëm.

“Kjo po shkon në drejtimin e duhur. Gjithandej ka gjurmë të ujit çurgues. Për këtë duhet një shtypje e madhe, pra një atmosferë e dendur. Mirëpo, Marsi ka humbur shumë shpejt atmosferën e tij primitive për shkak të efektit të rrezeve diellore. Prandaj, është dashur një degazim i madh për të rikrijuar një atmosferë mjaft të dendur”, thekson ai.

As vullkanet e shumtë e të fundit të kupolës së Tharsisit, në mesin e tyre edhe maja Olympus, që kulmon në 22.500 metra, nuk mjaftojnë për ta shpjeguar riformimin e një atmosfere të tillë.

Në këtë kontekst, teoria e “supervullkanëve” ofron një zgjidhje elegante. Megjithatë, duhen më shumë burime vullkanike se vetëm disa kaldera të përmendura në këtë studim. Dhe që ekzistimi i tyre të mbështetet në prova shumë më solide. E ardhmja do të tregojë nëse artikulli i “Nature”, me gjithë të metat e tij, ishte vizionar. Apo nëse do të hidhet në koshin e harresës.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Ditari