Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
DAM Fest, pak ‘pickim’ për muzikën klasike
Edona Osmanaj Publikuar: 29.10.2013 - 08:29

Me një koncert nga ansambli prestigjioz i perkusionistëve kroatë SUDAR së bashku me pianistin Matej Mestrovic, i cili do të mbahet më 1 nëntor në Teatrin Kombëtar, do të bëhet hapja e edicionit të tetë të festivalit ndërkombëtar të muzikantëve të rinj “DAM Fest ”.

Në festival, i cili do të mbahet përgjatë datës 1 dhe 2 nëntor, do të interpretohen vepra premierë nga Emmanuel Sejourne, Darko Sedak Bencic, Matej Mestrovic dhe Manfred Menke.

Sipas organizatorëve, karakteristikë kryesore e edicionit të 8-të, të “DAM Fest” është se netët e koncertit do të mbahen jashtë sallave të koncerteve, në hapësira jo të zakonshme për performancë. Kjo sipas tyre, vjen si pasojë e mungesës së hapësirave të jashtëzakonshme për të performuar.

Dardan Selimaj, drejtor i festivalit, ka thënë se koncerti do të mbahet në qendrën tregtare për të provokuar dëgjues të cilët nuk janë të afërt me muzikën klasike. Ai ka përmenduar kuartetin harkor “Prishtina” në përbërje të Visar Kuçit, Avni Thaqit, Arianit Shehut dhe Fraim Gashit, që gjatë festivalit do të dalin jashtë mureve të sallave të koncerteve.

“Koncerti i ansamblit do mbahet në qendër tregtare për të provokuar dëgjues të cilët nuk janë të afërt me muzikën klasike por edhe për t’i servuar dëgjuesit fanatikë të muzikës klasike, një eksperiencë për të dëgjuar kompozitorët klasikë në një hapësirë alternative me parametra jo të zakoshëm akustikë”, tha Selimaj.

Ai ka treguar se kërkesa për ta zhvendosur festivalin jashtë hapësirave të zakonshme për performancë, vijnë si pasojë e mungesës së sallave koncertale, dhe se për shkak të mungësës së fondeve ata shpeshherë nuk arrijnë të realizojnë këtë festival në formatin që e parashikojnë.

“Gjetjet për të koncertuar në hapësira jo të zakonshme vijnë si pasojë e mungesës së hapësirave për art në vend. Si program, mysafir në festival, mbyllet sezoni i shfaqjes “Dilerat” nga Bekim Lumi më 2 nëntor, po ashtu e vënë në një hapësirë alternative, në shtypshkronjën e braktisur të “Rilindjes”. Në skenën e muzikës elektronike do performojnë Flooder nga Maqedonia, Dardan Ramabaja dhe Toton nga Kosova në Mhz dhe Mingle” ka bërë të ditur Selimaj.

Festivali “DAM” është themeluar që nga viti 2006 i cili ka pasur për qëllim promovimin e muzikantëve të rinj, dhe të sjellë një frymë inovative në skenën e muzikës kosovare, por përveç kësaj sivjet ky festival do të përfshijë edhe artistë vizuelë dhe aktorë në mënyrë që të fuqizojë më shumë mënyrën e prezantimit muzikor.

Edicioni i 8-të i festivalit ndërkombëtar të muzikantëve të rinj “DAM” përkrahet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, Teatri Kombëtar, Z Mobile, Albi Mall, Flutura Dedinja, dhe Mingle.


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51