Opinione

Ballina / Opinione / Editoriale
Thaçi dhe opozita pikë e pesë
Milaim Shefkiu Publikuar: 02.04.2013 - 12:07

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pranuar se rivali i tij në politikë, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, e ka ditur rrugën për të fituar zgjedhjet dhe për të formuar qeverinë, por se nuk ka ditur më pastaj se si duhet të qeveriset vendi.

Kjo mund të qëndrojë si konstatim, se Thaçi ka ditur si të fitohen zgjedhjet, jo njëherë por dy herë, ndërsa vlerësimi se nuk di të drejtojë qeverinë, mund të jetë diskutabil dhe shumë relevant. Çdo protagonist i përditshëm i dramës qytetare në Kosovë, mund të konstatojë se në qeverisjen e Thaçit ka shumë parregullsi, ka paqartësi, korrupsion, neglizhencë dhe nepotizëm, që lë shumë për të dëshiruar, por që nuk është lojtar më i madh në politikë Thaçi se këta tjerët, nuk qëndron.

Derisa ka ditur të fitojë dy herë në zgjedhje dhe të formojë dy herë qeverinë, natyrisht se ai është më i zhdërvjelltë se të tjerët. Është i padiskutueshëm në krahasim me plejadën e sotme të politikanëve. Kjo, për faktin, se Thaçi ka neutralizuar zërin opozitar në Kuvend, ka arritur t’i thyejë ata nga brenda dhe t’i bëjë të ecin “këmbëzbathur” nëpër “djerrinë”.

Thaçi e ka kuptuar se opozita, sado që është e fortë, është e decentralizuar, e dekompozuar me qëndrime, ide dhe vizion. Ai e ka kuptuar se partitë opozitare, AAK, LDK dhe “Vetëvendosje” asnjë koordinatë të përbashkët nuk e kanë në hapësirën politike e legjislative, përveç ambicies për të drejtuar qeverinë, që është krejt e natyrshme.

Një pyetje e thjeshtë se - A ka opozitë në Kosovë? Natyrisht se do të thuhet se ekziston opozita, sepse aritmetikisht të dalin tri subjekte. Por, kur i sheh se si veprojnë, të mbushet mendja se nuk ka asnjë, se zëri i tyre është aq i mekur sa nuk dëgjohet fare, ose të krijohet përshtypja se po bëjnë monolog.

LDK që nga fillimi, u tregua si opozitë e butë, duke u munduar t’ia mbushë mendjen qeverisë me fraza politike, si reformatore. Duke qenë tri herë në qeverisje, duket se LDK-ja ka një bagazh me disa kusure, prandaj edhe është treguar më koperative, jo nga dëshira, por nga “zori”. Ose në këtë “eufemizëm politik” ka ndikuar kryeministri Hashim Thaçi, i cili në raste të caktuara ka ditur t’i amortizojë pakënaqësitë e kësaj partie.

”Vetëvendosje”, ndërkaq është treguar si partia më e zëshme opozitare, ose edhe opozita e vetme në parlament. Por, edhe kjo lëvizje shpeshherë, nga aversioni ndaj kryeministrit dhe partisë së tij, e ka humbur arsyen dhe ka dalë mbi konceptin demokratik të të qenit opozitë.

Nuk e mban primatin opozitar nëse gjithmonë e kritikon qeverinë, edhe atëherë kur ata bëjnë gjëra të mira. Shumë herë “Vetëvendosje” ka të drejtë, mbi korrupsionin, nepotizmin, neglizhencën, majorizimin e paarsyeshëm, dominimin total të qeverisë mbi institucione etj., etj., por jo edhe atëherë kur ndonjë pjesëtari të “Vetëvendosjes” i bie vetura në gropë dhe akuzon Hashim Thaçin se nuk i ka mbushur gropat.

Ndërsa më së paku opozitë është treguar AAK-ja e Ramush Hardinajt. Derisa ky i fundit thotë se Hashim Thaçi ka ditur të fitojë zgjedhjet por jo të qeverisë shtetin, atëherë duhet argumentuar me fakte dhe duhet kundërshtuar hapur. Nëse PDK-ja nuk ka vizon dhe nëse një ditë më shumë e kësaj qeverie është një ditë më shumë e dështimit si Kosovë, kjo nuk mjafton vetëm nëpër tubime partiake. AAK-ja ka më shumë se një vit që është treguar si satelit i PDK-së, sikurse ai muzikanti që ia mban “basin” orkestrës.

Derisa tre liderët e opozitës, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa nuk kanë arritur koordinohen në asnjë pikë referente vepruese, në Kuvend dhe jashtë saj, kryeministri Hashim Thaçi mund të ndihet, siç thoshte Fatmir Sejdiu, shumë komod në qeverisje.

Madje vetëm nëse dëshiron vetë ta rrëzojë qeverinë, si herën e kaluar, në të kundërtën si kryeministër mund të qëndrojë sa t’i japë zoti shëndet në Qeveri. Derisa tre të ashtuquajturit opozitarë, nuk arrijnë marrëveshje për bllok opozitar, në Kosovë nuk do të ketë opozitë, por do të ketë satelit që sillen rreth Qeverisë.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Kush fiton n ket anarki n kt koh shum vendimtare pr rajonin
Duka
rekomanduar (1)
03 Apr 2013
08:13
 
Me shume nga Opinione