Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Pula: “Chopin Fest” është pasuri shtetërore
Arbër Selmani Publikuar: 18.04.2013 - 10:07

Në edicionin e tij të katërt, vetëm një qeveritar ka treguar interesim për të dëgjuar pak nga muzika klasike dhe për t’u futur brenda njërit prej hoteleve më luksoze në qytet. Ministrja e integrimeve, Vlora Çitaku, ka qenë e vetmja nga “të mëdhenjtë” vendorë që ka vizituar njërën nga netët e festivalit “Chopin Piano Fest”, që po zë vend në kryeqytet që nga 6 prilli, e do të zgjasë deri më datë 28.

Ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë dhe atashe kulturorë të këtyre ambasadave janë treguar më aktivë se kryepolitika jonë, e prej tyre ka pasur gati në secilën natë të performancave në kuadër të këtij festivali. Tanimë, emrat e famshëm si Martin Kasik nga Çekia, Claire Huangci nga Amerika apo Peter Donohoe nga Britania e Madhe kanë sjellë recitalet e tyre me sonata e simfoni nga më të ndryshmet. Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Haxhiu - Pula, mosardhjen e qeveritarëve vendorë e ka arsyetuar vetëm natën e parë, kur ka dëgjuar që shumë prej tyre kanë qenë në natën e fundit të mbylljes së Javës së Xhazit Turk.

“Por më pas kanë rrjedhur edhe tri net të tjera, gjatë të cilave nuk ka pasur prani të tyre”, tha Pula në një bashkëbisedim për “Zërin”. Shpesh duke e vënë në dyshim edhe mbajtjen e këtij festivali, për shkak se përkrahja, sipas saj, shpesh ka munguar nga institucionet, Pula e quan pasuri shtetërore festivalin i cili tanimë sjell vlerat e mirëfillta dhe kulminante të artit muzikor botëror.

“Me festivalin po synojmë të sjellim artin e interpretimit. Këtë edicion nuk kemi vetëm formacione duo ose trio. Dëshira jonë kryesore mbetet ajo që publiku i gjerë i yni të njihet me vlerat e mirëfillta dhe kërkesat teknike që ato kanë”, tregon Pula. Edicionin e sivjetmë e ka nisur ajo bashkë me pesë instrumentistë të tjerë, në natën e 6 prillit kur në instrumente janë paraqitur edhe Fatos Jaho, Astrit Mustafa, Enkelejda Zajmi-Gorani, Marina Arsova dhe Dzijan Emin. 8 prilli ka sjellë Kasikun me një emocion të veçantë, ndërsa 15 prilli Donohoen, një nga emrat perlë të klasikes britanike. Anash në këtë edicion nuk janë lënë edhe emrat kosovarë.

“Kemi edhe vepra të kompozitorëve të rinj të cilët kanë krijuar për koncertet tona, përfshirë edhe literaturë të huaj dhe të tilla autoriale. Kemi një laramani gjeneratash”, vazhdon Pula. Ajo ka përmendur artistët e famshëm botërorë të cilët janë paguar në një kompensim modest në krahasim me atë që marrin zakonisht në festivale prestigjioze kudo në botë. Për këtë, ajo tregon se mbështetje kanë dhënë edhe ambasadat e huaja prej nga vijnë artistët përkatës. Vështirësitë, pos buxhetit, i përmend edhe në mungesën e një salle koncertale, ky tanimë problem në veshët e shurdhër institucionalë.

“Pos sallës e kemi edhe problemin e pianos, është dashur që ta bartim tri herë në destinacione të ndryshme. Vendi ku mbahet festivali është shumë prestigjioz, dhe me anë të një pianoje kemi arritur të krijojmë një ambient që i ngjason glamurit evropian, edhe pse e rendit do të ishte një sallë e denjë për emrat e tillë dhe muzikën e tillë”, tregon Pula. Asociacioni që ka themeluar festivalin në vitin 2010 merr fonde nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës, plus dhe donatorë të tjerë ndaj të cilëve Pula shprehet falënderuese.

Universiteti i Prishtinës megjithatë nuk ka dhënë para për mbajtjen e këtij festivali, dhe këtë vit festivali ka hequr dorë edhe nga kërkesa për një gjë të tillë.
Mbrëmjen e së mërkurës në kuadër të festivalit kanë performuar Trio “Celeste”, formacion i përbërë nga Lule Elezi, Antonio Gashi dhe Venera Kajtazi. Netët në vazhdim sjellin sopranon amerikane Dorothy Stone, Alberta Tronin, mezosopranon Sanije Matoshi, Podiumin e Muzikantëve të Rinj, tenorin Riad Ymeri dhe sopranon Besa Llugiqi, pianistin Lekë Salihu, deri në natën finale të 28 prillit kur do të performojë vetë Pula me pianistin austriak Gotlieb Wallisch dhe dirigjentin holandez Rene Gulikers.

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51