Opinione

Ballina / Opinione / Komente
Siguria Humane
Burim Ramadani Publikuar: 19.04.2013 - 11:40

Në Kosovë nuk ka Siguri Humane. Qytetari i Kosovës (individi) është larg të qenit i sigurt. Nuk ka siguri për kërkesat dhe nevojat e veta. Nuk ka në shumë pikëpamje dhe pjesë territoriale as mbrojtje fizike. Nuk ka mbrojtje politike, mbrojtje ekonomike, mbrojtje statusore. Nuk ka mirëqenie, nuk ka mundësi për punë, mundësi për arsimim të mirë, shëndetësi të mirë, kushte të mira ambientale apo edhe siguri nga kërcënimet e jashtme.

Të gjitha këto janë detyra themelore të shtetit, përkatësisht Qeverisë. Janë obligime Kushtetuese dhe politike. Janë themeli i ndërtimit sigurisë së individit apo asaj që në teori njihet si “Siguria Humane”.

Për shumicën e njerëzve në Kosovë nuk ekzistojnë kushtet elementare të jetesës. Nuk ka punë, nuk kanë edukim, nuk kanë mirëqenie dhe nuk kanë as mundësi për të pasur prosperitet.

Ndërsa, për shumicën e atyre që punojnë, elementet tjera të sigurisë humane mungojnë. Nuk kanë siguri ekonomike për shkak të ndryshueshmërisë së përditshme të çmimeve në tregun e Kosovës. Nuk kanë siguri politike për shkak të mosfunksionimit të sistemit politik gati të shkatërruar nga kapësit e shtetit. Nuk kanë siguri gjyqësore për shkak mosefikasitetit të organeve gjyqësore. Nuk kanë mbrojtje statusore për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm që u bëhet profesionistëve. Gazetarët hulumtues (jo ata të zyreve dhe bosat e mediave) janë shembulli më konkret i mungesës së sigurisë statusore.

Sidoqoftë, kuptimi i fjalës siguri është thelbësor për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Vetë fjala “siguri” nga fjala latine “se cura” do të thotë “kujdesje për dikë ose diçka”. Pra, ajo përfaqëson nevojën bazike të shprehur nga njeriu sa i përket marrëdhënieve njerëzore, marrëdhënieve me shtetin dhe aktorët jo-shtetërorë.

Në teori ekzistojnë dy koncepte themelore të sigurisë. Zhvillimi konceptual është mbështetur nga studimet e sigurisë dhe studimet ushtarako-strategjike, që kanë vënë në pah dallueshmërinë midis “sigurisë së fortë” dhe “sigurisë së butë”. Dallueshmëria midis këtyre dy koncepteve të sigurisë është bërë rreth dy dekada më herët. Përfundimi i Luftës së Ftohtë paraqet një çast vendimtar për këto dy perspektiva. Këto dy koncepte të “sigurisë” shikojnë tek njerëzit dhe mjetet në mënyra të ndryshme, duke i dhënë prioritete të tjera.

“Siguria e Fortë” është e bazuar në konceptimin tradicional të forcës ushtarake si mjetin kryesor për të garantuar sigurinë. Ky përceptim ekzison që nga periudha e Thomas Aquinas, i cili i jep rol qendror shtetit dhe konceptit të krishterë të Luftës së Drejtë. “Siguria e Fortë” vazhdon me Hobbes, i cili e koncepton shtetin si një mjet i drejtë për të shmangur “Gjendjen Natyrore”, në të cilën do të kishte luftë të secilit kundër secilit. Shteti në këtë pikëpamje duhet të garantojë sigurinë për secilin njeri. Kjo mund të shihet si “projeksioni vertical” i Sigurisë Shtetërore.

Më tutje, në vitin 1975, Charles Tilly ekspozon konceptin e tij të sigurisë, duke folur në përgjithësi rreth formimit të shteteve evropiane, si një ndërlidhje aciklike midis shtetit dhe luftës. “Lufta bëri shtetet që bënë luftë” është koncepti i tij i njohur. Pra, “lufta” dhe “siguria” mendohej se përfaqësojnë të njëjtën gjë.

Siguria Kombëtare dhe Kërcënimet Ushtarake janë dy aspekte që nuk mund të ndaheshin deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë. Zhvillimet konceptuale të sigurisë fillojnë në vitet 1980-ta, kur studiuesit vunë në mëdyshje ekskluzivitetin e ushtrisë brenda konceptit të sigurisë.

Richard Ullman me “Redefining security” dhe Barry Buzan me “People, State and Fear” prijnë në largimin e konceptit të sigurisë nga studimet strategjike. Ullman argumenton se se ekzistojnë kërcënime të tjera përpos konfliktit ushtarak, kërcënime që mund të shkaktojnë shumë dëme në atë shtet sa edhe një armë bërthamore. Kërcënimet ambientale sikurse vërshimet, tërmetet dhe epidemitë, sipas Ullman, mund të kërcënojnë sigurinë e shtetit.

Për më tepër, derisa përdorimi i shkallës më të lartë nukleare mund, padyshim, të kërcënojë ekzistencën e njerëzimit, paparashikueshmëria e kërcënimeve të caktuara jo-ushtarake e detyrojnë shtetit të ndërmerrë veprime me shumë pak njohuri për seriozitetin e këtyre kërcënimeve të sigurisë. Kështu, Ullman argumenton se mungesa e vëmendjes për kërcënimet jo-ushtarake mund të kthehet në kërcënimin më të madh të sigurisë.

Edhe Buzan i sheh kërcënimet jo-ushtarake si kredibile dhe esenciale për të kuptuar rolin e shtetit, individit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Buzan fillon shtjellimin e sigurisë duke shqyrtuar marrëdhënien midis individit dhe sigurisë kombëtare.

Derisa individi kërkon mbrojtje fizike kundrejt kërcënimeve direkte, sikurse është dhuna dhe lëndimi, ata po ashtu tentojnë të largojnë kërcënimin ekonomik, kërcënimin ndaj të drejtave dhe pozicionit ose statusit. Buzan ndërton argumentin se derisa ushtria ofron mbrojtje ndaj kërcënimeve fizike, ajo nuk mund të mbrojë individin kundrejt të gjitha kërcënimeve që mund të ketë gjatë jetës së tij.

Kërcënimet ndaj individit mund të rriten edhe nga ana e shtetit, i cili fillimisht ishte krijuar për të mbrojtur individin nga rreziqet e realitetit. Buzan jep një perspektivë më reale të sigurisë, duke argumentuar se individi duhet të jetë më shumë referencë për sigurinë sesa shteti dhe ky është definimi që njihet si “Siguria Humane”.

Duke ndjekur këtë koncept, “Siguria e Butë” është më shumë domen i masave ekonomike dhe politike për të konkretizuar objektivin kryesor të Sigurisë Humane: mbrojtjen e individëve.

Ku është qytetari i Kosovës dhe çfarë sigurie ka? Edhe teoritikisht, edhe praktikisht është jashtëzakonisht e qartë mungesa e Sigurisë Humane. Individi në Kosovë është i pasigurt dhe i pasigurt do të mbetet sa të ketë këtë qeverisje të pakoncept.

Autori është kolumnist i regullt i gazetës “Zëri”


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Shtjellim i mire dhe real, por Z. B. R. edhe Ju dhe partia e juaj po i ndihmoni kesaj qeverie te zgjase jeten perkunder te gjitha mjerimeve dhe pa sigurise totale, individuale dhe kolektive te qytetareve te Kosoves. Besoj, se po te jeni Ju opozita unike dhe parimore nuk do te mbijetonte kjo qeveri e mjerimit , qe e dermoj Kosoven. Po, çka u desht qe kryetari i partise se juaj te i nenshtrohet kryeministrit, e nenkryetari i juaj B.Shala, çka don ne negociata me Serbine, pa reciprocitet, qe ne nje menyre e rrezikojne sigurine te cilen e keni shtjelluar shume mire..!? Pra, edhe Ju e keni hisen e fajit.
Ciceroni
rekomanduar (0)
19 Apr 2013
13:26
 
Me shume nga Opinione