Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
Stone, Troni e Matoshi në “Chopin”
Drilon Pulaj Publikuar: 21.04.2013 - 11:24

Kanë mbetur edhe tri mbrëmje nga përmbyllja e edicionit të katërt të festivalit “Chopin Piano Festival”, i cili këtë javë po zë vend në kryeqytet. Të premten, gjithçka ishte “e zhurmshme” nga duartrokitjet e mysafirëve për sopranon e njohur amerikane Dorothy Stone, kjo për herë të parë në Kosovë. Stone performoi në pjesën e dytë të koncertit.

Kolegët e saj nga Kosova, gjatë ditës së premte e kishin ftuar sopranon që të jetë prezente pranë studentëve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, ku ka mbajtur ligjërim e ushtrime mbi muzikën dhe përvojën e saj si soprano profesioniste.

“Ma shpjeguan programin dhe pas kësaj ndodhi një ndryshim në programin e sotëm, në parim unë jam ftuar që të këndoj në koncertin e sotëm, por kolegët më thanë që të mbaj një ligjëratë të programit master në Fakultetin e Arteve dhe kur i takova studentët, u habita me zërin dhe talentin e tyre, saqë kalova gjithë kohën që më takonte për prova të festivalit duke ushtruar me ta. Kjo është arsyeja pse këndova vetëm tri nga këngët e Verdit të paraqitura në program” tha sopranoja Dorothy Stone, e cila gjatë këndimit solli një atmosferë të këndshme te publiku. Mes veprave të performuara, pati prurje nga Handel, Rossini, Kern, Berlin, Porter dhe këngë folklorike shqipe e amerikane në përshtatje për vokal e piano.

Besa Luzha, organizatore e festivalit, tha se i gjithë festivali ka shkuar ashtu siç e kishin paraparë, përveç mënyrës së organizimit me të cilën organizatorët kanë pasur problem por që e kanë tejkaluar. Ajo tha se është shumë e kënaqur edhe me praninë e audiencës që është gjithnjë në rritje.“Po rritet numri i atyre që dëshirojnë të shijojnë programe kulturore në Prishtinë dhe Prishtina po bëhet dita ditës një qendër e kulturës siç janë edhe qendrat e vendeve të tjera evropiane dhe me këtë ne dëshmojmë se jemi në Evropë, së paku nga niveli kulturor”, ka thënë Luzha.

Pianistja Alberta Troni, tregoi se si është takuar me sopranon Dorothy Stone në Universitetin Veror të Vjenës, kur edhe ia ka bërë ftesën Stones që të jetë e pranishme në Kosovë.

“Me kolegen Stone fatmirësisht jemi njoftuar në Vjenë, që kemi qenë së bashku dhe me Sanije Matoshin, ku ia kemi bërë ftesën që të vij në Kosovë dhe për këtë ftesë kemi pasur shumë përkrahje nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe mund të them se ka shkuar gjithçka shumë mirë” tha pianistja Troni, e cila shton se gjatë ditës, së bashku me Stonen kanë qenë mjaft të tensionuar duke punuat me studentë. Mezosopranoja Sanije Matoshi ishte mjaft e kënaqur me pjesëmarrjen e Stones dhe Tronit në paraqitjen e tyre në festival dhe shtoi se është e kënaqur me organizimin e “Chopin Piano Fest”.

“Festivali që po zhvillohet është mjaft i kënaqshëm, duke pasur parasysh kushtet të cilat jetojmë, mirëpo problemin më të madh e kemi me vendin për pregaditje, me atë sallën e Operës e cila po na mungon shumë” është shprehur mezosopranoja Sanije Matoshi.

“Chopin Piano Festival” nga data 23 Prill do të kalojë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe në natën e parë do të ketë mbrëmje të studentëve, kurse më 25 Prill po në Sallën e Kuqe, do të jetë mbrëmja e parafundit e kushtuar tërësisht kompozitorit italian Giuseppe Verdi. Finalja përfundimtare e këtij festivali që mbahet me 28 Prill do të jetë me koncert të Filarmonisë së Kosovës.

 


Komento
Komente (0)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51