Kultura

Ballina / Kultura / Kultura
“Pianisti i ri” bën bashkë talentet e pianos
Drilon Pulaj Publikuar: 07.05.2013 - 10:15

Në vitet 1970, në qytetin e Mitrovicës organizohej festivali që i mblidhte talentet muzikorë të degëve të ndryshme të muzikës nga e mbarë Kosova, i quajtur asokohe “Takimet e talenteve të Kosovës”. Mitrovica, që njihet edhe si qytet i talenteve të muzikës dhe ndonëse e ndarë, asokohe ka bashkuar talentet e rinj të muzikës klasike. Ky festival u rikthye pas 38 vjetëve, në 2008-tën përmes shoqatës “Bell’ Arte”, me emrin “Pianisti i ri”.

Festivalin e parë, të mbajtur në vitin 2008, në Mitrovicë, organizatorët vendosën një nismë të re por të kufizuar festivalin vetëm me piano. Drejtoresha e festivalit, Vlora Baruti tregon për gazetën, se qëllimi i këtij festivali, që tashmë organizohet për herë të gjashtë, që do të mbahet tre ditë, në mes të 21 dhe 23 qershorit të këtij viti, është prezantimi i pianistëve të rinj si dhe duke i prezantuar shkollat pianistike kosovare. “Synimi i kësaj shoqate është i shprehur përmes qëllimit dhe dëshirës së kamotshme që pianistët, pedagogët dhe studentët e pianos t’i bashkojmë me dashamirët e muzikës, prandaj ky asociacion mbetet i hapur për të gjithë adhuruesit e notave muzikore”, është shprehur drejtoresha Baruti, e cila shton se objektivat e shoqatës janë edhe ruajtja e traditave të kulturës sonë kombëtare, përkrahja në çdo aspekt e brezit të ri të pianistëve. Në festivalin e vitit të kaluar për “Pianistin e Ri” patën marrë pjesë edhe pianistë nga vendet jashtë Kosovës, që për drejtoreshën e festivalit, ka qenë suksesi i parë i arritur në këtë festival.

Ajo shton se si sukses tjetër i “Pianistit...” është edhe krijimi i traditës, masivizimi i pjesëmarrësve, që sipas saj, paraqesin një vlerë për pianistët e ardhshëm. Nga moshat 7 deri 19-vjeçare do të jetë njëri nga kriteret e pranimit të pjesëmarrësve, kriter ky edhe i viteve të kaluara. “Garuesit po tregojnë mjaft interesim, dhe ne jemi të kënaqur me këtë fakt dhe presim një numër të konsideruar garuesish”, ka shtuar Vlora Baruti. Më afërsisht 100 garues, siç thotë ajo, do të jetë numri i pjesëmarrësve në garën e radhës në festival. Ndërsa, kriter tjetër për të interesuarit do të jetë forma muzikore, me të cilat garuesi prezantohet si dhe kriter kryesor është një kompozim i cili duhet të jetë nga kompozitorët shqiptarë. Kësaj radhe, Vlora Baruti thotë se ende nuk dihet se ku do të jetë lokacioni i festivalit, mirëpo ajo shpreson se do të haset në mirëkuptim me shkollën Amerikane në Kosovë (ASK), në të cilët ambiente vitin e kaluar është mbajtur “Pianisti...”. për përzgjedhjen e fituesit të festivalit, Baruti thotë se në përbërje të jurisë profesionale do të ketë anëtarë nga shtete të jashtme, profesionist të fushës.

“Edhe si garues në festival, kanë arritur disa paralajmërime që lirisht mund të them se do të ketë pjesëmarrës nga vendet e huaja, gjë që e konsideroj një sukses të radhës” ka deklaruar Vlora Baruti. Përkrahja e “Pianistit...” do të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Komuna e Prishtinës dhe garuesit më të interesuar, siç thotë Baruti, vijnë nga kryeqyteti. “Nuk mund t'a veçojmë ndonjë qytet, por është shumë normale që numri më i madh i garuesve të jetë nga Prishtina. Besoj që arsyet janë të ditura” ka thënë ajo.

Edhe pse ndihma financiare e festivalit është mjaft e vogël, Baruti thotë se fituesi i festivalit do të ketë një shpërblim me të holla, por sipas saj, ende nuk është mbyllur afati i donacioneve. “Natyrisht që janë parapa çmime të caktuara sipas Rregullores së Festivalit për garuesit të cilët do të i vlerësoj juria. Këtë vit fituesve do të ju ndajmë edhe shpërblime monetare, por jemi në pritje të përmbylljes së donacioneve, në mënyrë që të përcaktojmë buxhetin përkatës” ka shtuar më tej drejtoresha Vlora Baruti. Për fituesin e festivalit do të ketë edhe një risi, ka thënë Baruti, që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndarë një buxhet të dedikuar për festivalin dhe për qëllim ka përzgjedhjen e një pianisti që të prezantojë Kosovën këtë vit në Kaunas të Lituanisë.


Komento
Komente (1)

Shkruaje emrin

Shkruaje email adresen

Shkruaje vendin
Shkruaje komentin
1000
Dërgo komentin
te lutem, lexoje
ingrid
rekomanduar (0)
07 May 2013
18:56
 
Me shume nga Kultura
 
Ky portal mirëmbahet nga NGB “Zëri” sh.p.k.. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Zërit”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit .
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2010 Portali "Zëri".
redaksia@zeri.info | marketingu@zeri.info | Tel: 00 381 38 24 90 71 & 00 381 38 22 24 51