Apple sqaron problemet me baterinë e iPhone 6s

Auto&Tech December 06, 2016 - 21:27

Pas thirrjes së Apple-it për rikthim të telefonave iPhone 6S, që kanë shfaqur probleme me bateri, gjiganti teknologjik ka sqaruar arsyen e këtij problemi.

Ditë më parë u njoftua se shumë pajisje iPhone 6S fikeshin edhe pse kishin përqindje të lartë të baterisë së mbushur, ndërsa tani Apple thotë se kjo ka ndodhur për shkak se një komponent i baterisë ishte në ambient të hapur më shumë se që duhej para se të futej në paketën e baterisë.

“Kemi gjetur se një numër i vogël i pajisjeve iPhone 6S të krijuara në shtator dhe tetor të vitit 2015 përmbajnë një komponent të baterisë që ishte ekspozuar në ambient të hapur më shumë se që duhej para se të futej në pakon e baterisë. Si rezultat, këto bateri shpenzohen më shpejt se bateritë normale dhe rrjedhimisht vjen edhe fikja e papritur. Është me rëndësi të theksohet se kjo nuk është çështje sigurie”, thuhet në njoftimin e Apple-it.

Nuk ka informacione se sa telefona janë të prekur nga ky defekt. Kompania ka krijuar po ashtu një uebfaqe të veçantë për përdoruesit e iPhone 6S për të shikuar nëse telefoni i tyre është i prekur apo jo.