Facebook-u bllokon dhjetëra mijëra aplikacione

Facebook-u bllokon dhjetëra mijëra aplikacione

Auto&Tech September 21, 2019 - 14:52
Detajet

Zyrtarët e rrjetit social, Facebook, kanë thënë se i kanë bllokuar dhjetëra mijëra aplikacione si pjesë e hetimeve për rastin “Cambridge Analutica”, i cili ishte bërë skandal për shkak të marrjes së të dhënave të përdoruesve.

Aplikacionet e bllokuara ishin të ndërtuara nga rreth 400 zhvillues aplikacionesh, ndërsa zyrtarët e Facebook-ut thanë se jo të gjitha aplikacionet paraqisnin rrezik për përdoruesit e tyre.

Kompania ishte përballur me presion të madh vitin e kaluar pasi ishte zbuluar se “Cambridge Analytica” kishte pasur qasje në të dhënat e përdoruesve të rrjetit social pa leje.

Besohet se firma këshilluese politike i ka përdorur këto të dhëna për të bërë reklama politike ndaj një audience të caktuar.

Në korrik të këtij viti, Facebook-u u dënua me pesë miliardë dollarë nga Komisioni Federal i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara. Ky ishte dënimi më i mad hi dhënë për shkelje të privatësisë së klientëve.

Skandali me kompaninë “Cambridge Analytica”, në të cilin janë prekur të dhënat e miliona njerëzve, e ka dëmtuar shumë rrjetin social. Prej asaj kohe, gjiganti teknologjik është përballur me padi dhe kritika ndërkombëtare.

Në përpjekje për t’i përmirësuar standardet e sigurisë dhe imazhin e kompanisë, udhëheqësit e rrjetit social në mars të vitit të kaluar e filluan një hetim për aplikacionet e përfshira në platformën e rrjetit dhe i angazhuan qindra avokatë, inxhinierë edhe ekspert të dhënash, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.