Trump akuzohet për lidhje me Rusinë

Bota August 15, 2016 - 20:20

Menaxheri i fushatës së Hillary Clinton ka kërkuar që Donald Trump të bëjë publike të gjitha lidhjet me Rusinë.

Kjo kërkesë ka ardhur, pas një shkrimi nga “New York Times”, e cila shkruante se këshilltari i fushatës së miliarderit Paul Manafort, kishte marrë gjithsej 12.7 miliardë dollarë nga një parti pro-ruse në Ukrainë.

Kjo çështje po bëhet mjaft e mprehtë. Akuza vjen në momentin që Trump ka shprehur mbështetje për Vladimir Putin dhe ka thënë se Amerika do të krijojë raporte të mira me Rusinë.

Sidoqoftë, avokati i Paul Manafort ka mohuar akuzat, duke thënë se Trump nuk ka marrë asnjë para nga partia në fjalë. Sipas tij, gjithçka është shpifje politike nga kampi i demokratëve.

Paul Manaford njihet si këshilltar dhe lobues tepër i fortë. Ai ka qenë menaxher i fushatës për presidentët amerikanë Ronald Regan, George Bush dhe Gerald Ford.

Ai gjithashtu ka qenë këshilltar politik edhe i ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, raporton BBC.

Detaji në fjalë ka forcuar edhe më shumë akuzat në drejtim të Trump, se ai po tenton të afrohet me Moskën.

Donald Trump ka shfaqur pikëpamje politike të “habitshme”, duke thënë se nuk ka arsye se përse Uashingtoni dhe Moska të kenë raporte shumë të mira, përcjell Shekulli.

Ai ka shprehur simpati për liderin rus, Vladimir Putin, dhe ka propozuar projekte te përbashkëta me Kremlinin.

Qasja e Trump është e kundërt me atë që po ndodh aktualisht. Amerika dhe Rusia kanë pasur përplasje të forta diplomatike, edhe kohët e fundit.

Një prej temave ku ata ndajnë mendime të kundërta është Siria. Moska mbështet Ushtrinë e Sirisë të Bashar Al-Assadit, kurse Uashingtoni i ka shpallur luftë ekstremistëve, por nuk parapëlqen as presidentin sirian.