Nju-Jorku nis hetime ndaj Fondacionit Trump

Bota September 14, 2016 - 22:17

​Shteti i Nju Jorkut ka filluar një hetim për fondacionin e familjes së kandidatit republikan për president, Donald Trump, pasi sipas disa artikujve në media, ai nuk kishte dhuruar asnjë shumë për bamirësi që nga viti 2008 dhe në një rast kishte përdorur paratë e fondacionit për të paguar për një portret të vetin me përmasa reale.

"Ne kemi pasur shqetësime se fondacioni Trump ishte angazhuar në veprimtari të papërshtatshme”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman, njofton VoA.

Fondacionet familjare të zotit Trump dhe kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton,kanë zënë një vend të rëndësishëm në fushatën e vitit 2016 për zgjedhjet e 8 nëntorit për president.

Republikanët kanë akuzuar zonjën Clinton se fondacioni i saj është një skemë ku paguhet kundrejt favoreve duke u dhënë mundësi dhuruesve që të takoheshin me zyrtarë të Departamentit të Shtetit kur ajo ishte Sekretare Shteti nga viti 2009 deri në vitin 2013.

Akuzat e ndërsjella vijnë ndërsa emaile të ish-sekretarit republikan të Shtetit Colin Powell, të cilat janë depërtuar nga hakerat dhe janë bërë publike, tregojnë se ai ka pikëpamje negative për të dy kandidatët.