Hillary Clinton është 'e shëndetshme dhe e aftë' për presidente

Bota September 14, 2016 - 23:38

Hillary Clinton është "e shëndetshme dhe e aftë" për të shërbyer si presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë mjekia e saj, teksa ekipi i fushatës së saj ka publikuar raportin e saj më të ri mjekësor.

Kandidatja demokrate për presidente "po vazhdon të përmirësohet", pas diagnostikimit me pneumoni, ka bërë të ditur ekipi i fushatës së saj nëpërmjet një komunikate, raporton BBC.

Ekipi i fushatës po ashtu ka thënë se mjekia e Clintonit ka vlerësuar se ekzaminimi i saj i plotë fizik është "normal" dhe se ajo është "në gjendje të shkëlqyeshme mendore", transmeton Gazeta Express.

Këshilltarët e Clintonit kanë thënë se ajo do t'i rikthehet fushatës të enjten.

Dr Lisa Bardack ka thënë se Clinton "po e merr veten mirë me antibiotikë dhe duke pushuar", pasi asaj i janë marrë mendët gjatë ceremonisë përkujtimore për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit, të dielën.

Ekipi i fushatës ka thënë se ajo i është nënshtruar një skanimi të kraharorit të premten, i cili ka shfaqur "pneumoni bakteriale të butë dhe jongjitëse".

Ajo po trajtohet me një antibiotik të quajtur Levaquin, që i është përshkruar asaj për 10 ditë.