Zviceranët votojnë pro përgjimit më të madh nga shteti

Bota September 25, 2016 - 20:44

Votuesit zviceranë i kanë dhënë një mbështetje të fuqishme një ligji që i jep kompetenca të reja monitoruese agjencive të inteligjencës.

Ligji i ri do t'i mundësojë autoriteteve në Zvicër të përgjojnë telefonat dhe postën elektronike (email), por edhe të instalojnë kamera e mikrofona të fshehura, raporton BBC.

Masat e reja do t'i ndihmojnë Zvicrës të jetë në hapë me vendet e tjera të botës, kanë thënë mbështetësit e ligjit, transmeton Gazeta Express.

Kundërshtarët e tij druajnë se ligji i ri do t'i cenojë liritë qytetare dhe do ta rrezikojë neutralitetin e Zvicrës duke kërkuar bashkëpunim më të ngushtë me agjencitë e huaja të inteligjencës.

Rreth 65.5 për qind e votuesve kanë votuar pro propozimit. Ligji i ri i mundëson Shërbimit Federal të Inteligjencës dhe agjencive të tjera që të përgjojnë të dyshuarit, nëse ato marrin autorizimin e nevojshëm nga një gjykatë, nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Qeveria.