Referendumi në Republikën Serbe: 99.80 e serbëve votojnë 'për', rriten tensionet

Bota September 25, 2016 - 22:09
Pas numrit të 30,76 të vendvotimeve, në referendumin e organizuar në Republikën Serbe të Bosnjës, “për” kanë votuar 99.80 përqind e qytetarëve.

Në referendum kanë marrë pjesë ndërmjet 56 dhe 60 për qind të votuesve të regjistruar.

Ligji për referendum definon se ai mund të jetë i vlefshëm nëse në të dalin më shumë se 50 për qind e qytetarëve të regjistruar në listat zgjedhore, transmeton lajmi.net.

Zyrtarët boshnjakë ishin kundër referendumit, sepse konsiderojnë se është anti-Dajton dhe një akt kundërkushtetues.

Kundër referendumit janë edhe Këshilli Drejtues për zbatimin e paqes (PIC), Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ambasada e SHBA-së, Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje Kroacia e Serbia.

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha se nuk “frikësohet nga sanksionet eventuale”.

Referendumi i së dielës ka çuar në debatin më të ashpër ndërmjet zyrtarëve myslimanë të Bosnjës dhe atyre serbë të Bosnjës, prej Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Me këtë marrëveshje ishte krijuar Republika Serbe, si njëra nga dy entitetet përbërëse të Bosnjë Hercegovinës.

LEXO EDHE: “Millorad Dodikun e pret fati i Sadam Huseinit, Gadafit dhe Millosheviqit”

Në referendum është shtruar pyetja nëse dëshirohet që 9 janari të mbetet “Ditë e Shtetësisë”.

Në këtë datë është festa e Kishës Ortodokse Serbe dhe përvjetori i Deklaratës së ligjvënësve serbë të Bosnjës në vitin 1992, me të cilën ishte shpallur pavarësia nga Bosnja. Ky zhvillim e kishte shkaktuar luftën trevjeçare etnike në këtë vend.

Kritikët e referendumit thonë se ai i shton tensionet etnike dhe e forcon ndjenjën separatiste brenda këtij entiteti.

Joserbët, këtë datë e shohin si simbol të dëbimit të tyre nga territori i kontrolluar nga serbët e Bosnjës dhe si indikacion se Republika Serbe është vend ku do të jetojnë vetëm serbët. /Lajmi.net/