ISIS i trembet vetëm Izraelit

Bota November 30, 2016 - 22:19

Izraeli është i vetmi vend në botë të cilit ISIS i trembet. Kështu ka deklaruar i vetmi gazetar perëndimor i cili ka arritur të hyjë në territoret e Shtetit Islamik dhe ka mbijetuar.

Jürgen Todenhöfer, ka kaluar 10 ditë në të ashtuquajturin Shtet Islamik gjatë vitit të kaluar dhe ka botuar gjetjet e tij në një libër.

Në një intervistë për “Jewish News”, gazetari gjerman tha se, Izraeli nuk është i përfshirë në planet e ISIS për “fazën e parë” të kolonizimit në Lindjen e Mesme.

“I vetmi vend të cilit ISIS i trembet është Izraeli. Ata më thanë se, e dinë që Izraeli është shumë i fortë për ta”,- tha Todenhöfer.

“Ata mendojnë se mund të mposhtin trupat tokësore amerikane dhe britanike, pasi ata nuk kanë eksperiencë në luftërat guerile apo strategjitë terroriste”,- shton ai, transmeton mapo.

ISIS ka bërë disa kërcënime ndaj Izraelit përmes një videoje propagandistike të shpërndarë në muajin tetor, në të cilën ata pretendojnë se asnjë hebre nuk do të mbetet në Jerusalem dhe se do të çrrënjosin judaizmin nga toka.