Prokurori Tieger: Mlladiq, ideator i masakrës së Srebrenicës

Bota December 05, 2016 - 23:25

Ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq ka qenë figurë qëndrore në masakrën e vitit 1995 të mijëra njerëzve në Srebrenicë.

Kështu ka thënë sot prokurori gjatë fjalës përfundimtare në Tribunalin e Hagës, në procesin për gjenocid kundër Mlladiqit, raporton Reuters.

Prokurori, Alan Tieger, iu ka thënë gazetarëve se “Mlladiq ka hyrë në Srebrenicë dhe është zotuar se tani ka ardhur koha që të hakmerremi ndaj turqve”, përcjell REL.

Më 11 korrik, 1995, Mlladiq kishte premtuar se do t’ia kthente qytetin popullit serb. Ditët në vijim, rreth 8 mijë burra e djem, përfshirë edhe ata të moshës 12 vjeçare janë vrarë në mënyrë sistematike.

Nga sot, rasti kundër Mlladiq po hynë në fazën finale të tij, 20 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë.

74 vjeçari Mlladiq ka hedhur poshtë të gjitha 11 akuzat kundër tij, përfshirë edhe atë për gjenocid si dhe akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokatët mbrojtës të Mlladiqit pritet të fillojnë prezantimin e argumenteve përfundimtare duke filluar nga data 9 dhjetor.