Si u thinj një President, 8 vitet e Obamës dhe trashëgimia që la

Bota January 21, 2017 - 09:53
Barack Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë si diçka e re në historinë e Amerikës. Nuk u zgjodh në bazë eksperience, as për rolin e tij si kreu i ndonjë partie apo lëvizjeje. Nuk kishte qenë as guvernator, as gjeneral e as ligjvënës veteran. Nuk u bë president aksidentalisht, sepse parardhësi i tij vdiq papritur në detyrë.

Obama, – shkruan “the Time”, – u zgjodh thjesht për atë që ishte, për mesazhin e tij, për njeriun dhe për atë që simbolizonte. Në 48 muaj të shkurtër, ai u ngrit nga hiçi i një legjislature shtetërore, duke u shndërruar në të parin demokrat që fitonte prej më shumë se 3 dekadash mbi gjysmën e votave popullore.

Lajmësi dhe mesazhi ishin të pandashëm. Obama e ofroi veten si “prova A” në rastin e shpresës dhe ndryshimit. Ai ishte pasqyra, ku miliona vetë panë t’iu reflektoheshin ideale si toleranca, bashkëpunimi, barazia, drejtësia.

Pas dy mandatesh mavijosëse dhe një kohe të trazuar në krye të Shtëpisë së Bardhë, me periudhën e krizës ekonomike dhe rrëmujat gjeopolitike, vështirë të kujtosh tani përse kandidati i ri e gozhdoi botën nga fakti i thjeshtë i të qenit Obama.

Në njëfarë mënyrë, pozicioni më i lartësuar në Amerikë e gjen mënyrën për t’i përulur mbajtësit e tij. Obama e lë Zyrën Ovale më njerëzor nga sa ishte kur hyri atje: largohet si vdekatar i thjeshtë dhe prova më e mirë janë flokët e bardhë.

Kur mori detyrën në mesin e një ngërçi të ekonomisë, mbi supe iu ngjesh edhe barra masive federale e nevojës për investime rekord në nisma arsimore, studimin e mjedisit, modernizimit industrial dhe më e famshmja nga të gjitha, reformës në shëndetësi.

Riorientimi që u bëri politikave të jashtme shqetësoi shumë eksperte dhe rezultatet mund të kërkojnë vite të tëra që të kuptohen siç duhet. Por përpjekjet e tij, – vazhdon “Time”, – nuk mund të quhen të vogla.

Trashëgimia e Obamës në fakt, për revistën prestigjioze është më e madhe dhe më e qenësishme nga sa i ka lejuar ai vet që ta pohojë përgjatë të gjithë qëndrimit në këtë post. Kandidati i njohur për fjalimet energjike u mundua shumë t’i tregonte publikut çfarë po bënte dhe përse po e bënte, por shpesh u shkurajua nga reagimi që mori.

Pavarësisht gjithçkaje, Obama nuk arriti dot ta ndryshonte natyrën e vet politikës, thotë revista prestigjioze. Ironia është se arriti më shumë se pjesa dërrmuese e presidentëve, ama gjatë qeverisjes së tij, miliona amerikanëve nuk iu shqit bindja se Uashingtoni nuk bën asgjë siç duhet./ Top Channel/.