Shefi i ri i Pentagonit ‘kundërshton’ Trampin

Bota January 24, 2017 - 21:47

Matis tha se SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar në NATO.

Shefi i ri i Pentagonit, James Mattis, porositi aleatët në NATO se Uashingtoni mbetet i përkushtuar dhe mbështetë në tërësi aleancën.

Ai këtë deklaratë e bëri, përkundër faktit se Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, e cilësoi NATO’n si një organizatë të vjetruar. Në ditën e parë në funksionin e tij të ri, Matis zhvilloi biseda telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenbergun dhe me ministrat e Mbrojtjes së Britanisë dhe Kanadasë, të cilëve ju përcolli këtë porosi, raportuan agjencitë e lajmeve.

Gjatë bisedës me ministrin britanik të Mbrojtjes, Majkëll Fellon, Matis nënvizoi se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Londrës do të mbesin të ngushta, duke theksuar se lidhjet mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes paraqesin një themel për sigurinë e Amerikës, transmeton rtv21.tv

Në bisedën që zhvilloi me Stoltenbergun, Matis qartësoi se NATO vazhdon të luaj një rol vendimtar për të ruajtur sigurinë trans-atlantike. Matis qysh më herët kishte planifikuar që bisedën e tij të parë në funksionin e ri ta zhvilloi pikërisht me Stoltenbergun, për të nënvizuar edhe më shumë rëndësinë e aleancës, u theksua në kumtesën e Pentagonit. Edhe Stoltenberg lëshoi një kumtesë, në të cilën u theksua se ka zhvilluar një bisedë të mrekullueshme me Matisin, duke e përshkruar atë si një mik të fuqishëm të NATO-s në Pentagon. Ndërkohë, Këshilli i Senatit për politikë të Jashtme me një shumicë të ngushtë prej vetëm një vote mbështeti emërimin e Reks Tillersonit për sekretar të ri të shtetit. Përkundër faktit se askush në katër dekadat e fundit nuk mori një mbështetje më të ngushtë, pritet që emërimi i Tillersonit do të mbështetet edhe pas votimit p-lenar në Senat, i cili pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Tillerson u vlerësua si një kandidat kundërthënës madje edhe nga vetë republikanët, për shkak të lidhjeve të ngushta afariste dhe lidhjet tjera me Presidentin e Rusisë, Vlladimir Putinin.

Senati mbështeti edhe emërimin e kongresistit republikan, Majk Pompeo për drejtor të ri të CIA’s. Pompeo mori mbështetjen e nevojshme, përkundër brengës së disa senatorëve se ai mund të zgjeroi procedurat për vëzhgimin e të dyshuarve apo se gjatë marrjes në pyetje mund të lejojë përdorimin e teknikave, të cilat cilësohen si torturë.