Gjermania kërkon punëtorë, një milion vende të lira pune

Bota May 19, 2017 - 17:44

Sot në Gjermani ka mbi një milion vende të lira pune dhe rreth 3 milionë vetë që kërkojnë punë. “Një disbalancë e tillë, - thotë “Deutsche Welle”, duke cituar ekspertë të fushës, - lidhet me transformimin e tregut të punës”.

Në disa degë, si për shembull në bujqësi apo pylltari, nuk ka më nevojë për forca të reja. Ndërsa në mjaft sektorë të tjerë, kërkesa është tepër e lartë.

Alexander Kubis, nga Instituti “IAB”, thotë se vendit nuk i mungojnë punëtorët e kualifikuar. Por sërish, disa zona dhe sektorë ndeshen me probleme të mëdha për gjetjen e fuqisë punëtore.

Vende të lira pune ka me bollëk në sektorin e logjistikës dhe atë të magazinimit. Mungesë dhe nevojë vërehet gjithashtu në sektorin e ndërtimit, atë të shëndetësisë dhe të përkujdesjes mjekësore.

Sipas Kubis, një sërë ndërmarrjesh shpenzojnë sot më tepër kohë, sesa në vitin 2010, për të gjetur një person të përshtatshëm për vendin e punës. Kjo periudhë, aktualisht kërkon e pakta 82 ditë, ndërsa përpara 7 vitesh zgjidhej brenda 70 ditëve.

Sipas tij, kriter kryesor i punësimit mbetet shkollimi dhe cilësia e tij, e kjo gjë shihet jo vetëm te profesionet akademike, por edhe te personat që përfundojnë shkollat profesionale./Lajmi.net/.