Macron e injoron keq Trump’in, por shikoni reagimin e tij (Video)

Bota May 27, 2017 - 20:02

Brukseli e pa nga afër se cili është Donald Trump, kur presidenti amerikan kaloi pak më shumë sesa 24 orë në kryeqytetin belg, për një vizitë diplomatike të ndjekur me shumë kujdes. “Politico” shkëput 7 momentet më pikante të saj, duke e nisur nga fjetja.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte mundësinë ta kalonte natën në njërën prej 3 ambasadave boshe amerikane: asaj në Belgjikë, asaj të BE-së dhe së fundi asaj të NATO-s, ku ende nuk ka caktuar ambasadore. Në fund qëndroi tek ajo e Belgjikës, ndërsa Melania preferoi hotelin, së bashku me pjesën tjetër të delegacionit.

Ndarja e të njëjtit emër me Donald Tusk nuk mjaftoi, që dy udhëheqësit ta shikonin në sy njëri-tjetrin. “Nuk jam i bindur nëse mund ta pohojmë sot me bindje 100%, se kemi një pozicion të përbashkët mbi Rusinë”, do të deklaronte pas takimit të sikletshëm kryetari i Këshillit Europian.

Emmanuel Macron mori urime të thella nga presidenti amerikan për zgjedhjen në krye të Elizesë. Francezi pati edhe privilegjin e një dreke tek për tek me kreun e administratës amerikane. Sesa do ta bindë ama, që Trump të angazhohet në marrëveshjen e klimës së firmosur në Paris, kjo mbetet për t’u parë. Të paktën për një herë, shtrëngimi i çuditshëm i duarve nuk ishte një nga ato momentet e gafave që i faturohen Trumpit. Presidenti amerikan u përpoq dy herë ta hiqte dorën, por francezi Macron nuk e lëshonte kollaj.

Ashtu siç premtoi, Theresa May e ngriti problemin e rrjedhjes së informacioneve mbi sulmin terrorist të Manchesterit dhe e bëri këtë, kur bashkë me Trump priste shkrepjen e fotos zyrtare. Ai ishte përpjekur ta zbuste situatën me një deklaratë, ku e përshkruante episodin si “thellësisht shqetësues” e mori zotimin që administrata e vet t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.

Por pikën kulmore e përbën padyshim ajo shtyrje që i bëri në shpatull kryeministrit malazez, Dusko Markoviç, për të dalë vet në radhë të parë. Shtëpia e Bardhë tha se kjo ishte thjesht një mënyrë e lirshme përshëndetjeje. Të tjerëve nuk iu duk ashtu. Vet Markoviç u përpoq ta zvogëlonte rëndësinë e situatës, duke thënë se nuk ishte një gjest dashakeq dhe se, në fund të fundit, presidentit të Shteteve të Bashkuara i takonte të ishte në radhë të parë.

Ashtu siç pritej, Trump u kërkoi anëtarëve të NATO-s të përmbushin angazhimet e marra dhe të shpenzojnë për mbrojtjen sa 2% e GDP-ve. Vetëpërmbajtja e tyre ishte e admirueshme, edhe pse nuk mungoi ndonjë buzëqeshje lehtësisht ironike, si ajo e Macron.