Myslimanët shpëtojnë të krishterët nga ISIS-i

Bota June 21, 2017 - 20:44

Që prej javës së fundit të muajit maj, ushtria filipinase ka ndërmarrë një ofensivë ushtarake për të rimarrë kontrollin e qytetit Maraui, i vendosur nën dhunën brutale të një grupi ekstremist të lidhur me ISIS-in.

Nga raportimet e mediave vendase thuhet se janë të paktën 1 mijë banorë të izoluar në këtë qytet, ku deri para daljes në skenë të grupit ekstremist të njohur si Maute, bashkëjetonin në paqe të krishterë dhe myslimanë.

Pjesa më e madhe e personave të bllokuar janë të krishterë, që në shumicën e rasteve përdoren nga ekstremistët si mburojë njerëzore kundër ushtrisë filipinase.

Një pjesë e të krishterëve që i shpëtuan dhunës dëshmuan për mediat lokale dhe ato ndërkombëtare se gjatë arratisjes janë ndihmuar nga bashkëqytetarët e tyre myslimanë.

“Na dhanë ferexhe dhe të mbuluar dolëm nga qyteti. Atje është një tmerr i vërtetë”, thotë njëri prej tyre, transmeton tch.

Burimet qeveritare flasin për 290 viktima, 206 prej të cilëve militantë, 58 ushtarë dhe pjesa tjetër civilë.