E konfirmon Shtëpia e Bardhë: Trump e Putin do të takohen në Hamburg

Bota June 29, 2017 - 22:58

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të takohet javën e ardhshme me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, duke konfirmuar bisedimet e shumëpritura, që do të zhvillohen në mes të tensioneve të larta për shkak të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet e 2016's në SHBA, dhe një varg hetimesh në Uashington për të sqaruar nëse njerëzit e afërt të Trumpit kanë bashkëpunuar me Rusinë, shkruan The New York Times.

Shtëpia e Bardhë nuk ka treguar nëse Trump planifikon të diskutojë me Putinin për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA - një temë që presidenti amerikan është munduar ta shmangë, përkundër shqetësimeve të mëdha brenda administratës së tij dhe në Kongresin amerikan, transmeton Gazeta Express.

Takimi ndërmjet dy presidentëve do të ndodhë në margjinat e samitit të Grupit të 20 vendeve më të zhvilluara ekonomikisht, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në qytetin e Hamburgut, në Gjermani.

"Nuk ka ndonjë agjendë specifike - presidenti do të flasë për çfarë të dojë", ka thënë gjenerali H. R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i Trumpit.

Takimi Trump-Putin do të jetë i pari sy më sy ndërmjet dy udhëheqësve të fuqishëm, që kur Trump ka marrë pushtetin në Amerikë, dhe do të ndodhë teksa disa komisione të Kongresit amerikan dhe një prokuror special po hetojnë më thellë për lidhjet e mundshme ndërmjet ekipit të fushatës së Trumpit dhe Moskës.