Bomba që do të paralizojë Korenë e Veriut

Bota October 08, 2017 - 22:12

Koreja e Jugut thotë se ka zhvilluar teknologjinë e cila është e aftë për të prodhuar bombë-grafit, e aftë për të paralizuar furnizimin me energji elektrike të Koresë së Veriut, në rast lufte, njofton agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar zyrtarë ushtarakë.

“Të gjitha teknologjitë për zhvillimin e një bombë-grafit të udhëhequr nga [agjencia e mbrojtjes e Koresë së Jugut] janë siguruar. Është në fazën ku ne mund të ndërtojmë bomba në çdo kohë”, citohet të ketë thënë një zyrtar i ushtrisë të dielën, përcjell Telegrafi.

Sipas mediave të huaja, bomba-grafit është një municion jo vdekjeprurës që përdoret për të çaktivizuar rrjetet energjetike të armikut.

Ajo përmban fije të karbonit, të cilat formojnë një re të dendur kur shpërthen bomba.

Fibrat e karbonit rrinë në linjat e energjisë, duke shkaktuar shkurtime dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Bomba, megjithatë, thuhet se është joefektive ndaj kabllove të izoluara të energjisë.

Arma thuhet se është zhvilluar nga Agjencia e Koresë së Jugut për Zhvillimin e Mbrojtjes, si pjesë e të ashtuquajturit programi “Kill Chain” – një doktrinë parandaluese kundër Veriut.

Sipas asaj që shkruan “RT” të tilla pajisje u përdorën gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1990, duke privuar furnizimin me 85 për qind me energji elektrike të Irakut, sipas një think tankut Global Security.

Përveç kësaj, siç shkruan ky medium, një variant i municioneve, bomba grumbulluese grafit BLU-114/B, u përdor në vitin 1999 gjatë sulmit të NATO-s në Serbi.