Jep dorëheqje ministri britanik për Brexit

Bota November 15, 2018 - 12:29
Lexoni më shumë detaje

Ministri britanik për daljen nga Bashkimi Evropian (Brexit), Dominic Raab dhe ministri i Shtetit për Irlandën e Veriut, Shailesh Vara dhanë dorëheqjen, duke treguar si arsye marrëveshjen Brexit me Bashkimin Evropian (BE), transmeton AA.

Raab i cili ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Twitteri është shprehur se "Unë besoj se regjimi rregullator i propozuar për Irlandën e Veriut përbën një kërcënim real për integritetin territorial të Britanisë. Unë nuk mund të mbështes nenin që i jep të drejtën e vetos BE-së për ndarjen tonë". 

Po ashtu edhe ministri i Shtetit për Irlandën e Veriut, Shailesh Vara, ka dhënë dorëheqjen me të njëjtat arsyetime. "Kjo marrëveshje nuk e bën Britaninë një vend të shpëtuar, të pavarur dhe sovran, pavarësisht se cilat fjalë përdoren brenda saj", ka theksuar Vara, duke bërë të ditur se populli britanik e ka përdorur votën e tij në referendum për të dalë nga BE-ja. 

Gjithashtu theksohet se në kabinetin britanik brenda ditës priten edhe dorëheqje të tjera. Për shkak të Brexit kanë dhënë dorëheqjen në muajin korrik ministri për Brexit, David Davis dhe ministri i Jashtëm, Boris Johnson si dhe të premten e kaluar ministri përgjegjës për Transportin, Jo Jonson. 

Në tekstin prej 585 faqes në marrëveshjen Brexit pjesën më kritike e përbën problemi kufitar mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. 

Sipas tekstit të marrëveshjes, Britania që nga 29 marsi 2019 kur vendi do të largohet zyrtarisht nga BE-ja do të nisë procesin 2 vjeçar të tranzicionit, ku Britania do të ruajë avantazhet dhe detyrimet specifike për anëtarësimin në BE. 

Periudha e tranzicionit në të cilën palët do të negociojnë për marrëdhëniet e tyre të ardhshme tregtare do të përfundojë deri në fund të dhjetorit 2020, por palët do të jenë në gjendje të zgjasin këtë periudhë në qoftë se bien dakord deri në muajin korrik të të njëjtit vit.