AKP lëshon me qira 10 objekte të liruara nga uzurpatorët

Ekonomia September 22, 2016 - 19:06

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës nën kryesimin e z. Petrit Gashi, ku u diskutuan çështje të shumta të përcaktuara me Rendin e Ditës dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Bordit i Drejtorëve miratoi procesverbalin e mbledhjes së Bordit të AKP-së të mbajtur më 31 Gusht 2016. Menaxhmenti i Agjencisë raportoi para Bordit për aktivitetet e fundit të AKP-së  për periudhën   1 Gusht – 31 Gusht 2016 dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen.

Po ashtu para Bordit raportoi Komiteti i Auditimit i Bordit të Drejtorëve me ç’rast u diskutua për planin për implementimin e rekomandimeve të Auditorit të Brendshëm.

Bordi diskutoi raportin  mujor  të  punës  për gjendjen në Trepçë. Në këtë mbledhje Bordi miratoi amandamentimin e Politikave Operative të Agjencisë si dhe akteve nënligjore lidhur me procesin e shitjes që do t’i paraprijnë shitjes së aseteve dhe valëve të privatizimit. Bordi miratoi edhe raportin e Komisionit për Shitje të Banesave të NSH-ve me ç’rast aprovoi shitjen e 17 banesave.

“Bordi i Drejtorëve shqyrtoi raportin e auditorit te jashtëm dhe raportet e monitorimit të përmbushjes se kushtit për mbajtjen e aktivitetit te ndërmarrjes për 3 vite nga data e privatizimit. Duke konsideruar se blerësi ka përmbushur kushtet e kontraktuara, Bordi mori vendim për lirimin nga mbikëqyrja e mëtutjeshme kontraktuale Ndërmarrjen e Re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix”, thuhet në njoftim.

Bordi miratoi edhe raportet e shpërndarjes së pagesave për kreditorët e nëntë (9) ndërmarrjeve shoqërore si në vijim: NSH Mustafe Goga, NSH Letnica, NSH Qendresa, NSH Elast, NSH Deçani, NSH Banjat e Pejes, NSH Ferma e Derrave, NSH Ndërtimtaria dhe NSH Tregtia e Kosovës.

“Si rrjedhojë e vendimit për largim të uzurpatorëve në përputhje me Udhëzuesin për Trajtim të Aseteve të Uzurpuara, si dhe në përputhje me nenin 11.4 dhe 16.1.2 të Ligjit të AKP-së 04/L-034 Bordi miratoi raportet e vlerësimit të çmimeve të qirasë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale më AKP-në për 10 asete që kanë qenë të uzurpuara”, bëhet e ditur në njoftim.

Mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për datën 13 tetor 2016./lajmi.net