Abrashi shpalos potencialin e Kosovës para investitorëve gjermanë

Ekonomia December 08, 2016 - 23:13

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, është duke qëndruar në një vizitë në Gjermani duke i njoftuar sipërmarrës gjerman për mundësinë e investimeve në Kosovë.

Ai ka shkruar në Facebook se Kosova është vend ku ka një rini që kanë potencial të jashtëzakonshëm për të punuar dhe bizneset e huaja pranohen ngorhtësisht.

Ky është postimi i plotë i Abrashit:

Ekonomia, gjuha e Kosovës në botë

Gjatë qëndrimit tim në Dortmund, nikoqiri më propozoi që diskutimet që patëm bashkë për zhvillimet ekonomike dhe biznesore në Kosovë, t’i shprehja edhe përmes një interviste.

E shfrytëzova këtë mundësi pasi që në numrin e radhës, mbi 22 mijë anëtarë të Odës Zejtare të Dortmundit do të mund lexojnë për Kosovën dhe mundësitë për investime te ne.

Në intervistë përmenda momentumin e ri zhvillimor, fuqinë relativisht të lirë punëmarrëse, integrimin infrastrukturor të brendshëm dhe rajonal të Kosovës, autostradat, projektin e hekurudhës, potencialin në bujqësi, IT, apo në ofrim të shërbimeve, hapjen e tregut evropian përmes MSA-së, interesimin në rritje të sipërmarrësve gjermanë për projekte investive në Kosovë, lidhjen përmes diasporës me këtë vend, reformat fiskale dhe tatimore, përkrahjen që mund të ofrohet përmes zonave ekonomike, dhe përkrahjen përmes Partneritetit Publik-Privat, popullatën e re dhe kreative që flet dhe mëson shpejtë gjuhë të huaja, por edhe faktin që Kosova është një ambient i qetë, ku të huajt pranohen ngrohtësisht.

Thënë ndryshe, me këtë intervistë targetova sipërmarrësin e zakonshëm gjerman të cilët kanë nevojë të kenë me shumë informata për Kosovën dhe mundësitë e mëdha ekonomike që ofron. Vetëm kështu ne promovojmë të ardhmen zhvillimore dhe ky është obligim i secilit, pa përjashtim.