Jashari premton 1000 vende të reja pune në Parkun e Biznesit në Marinë

Ekonomia February 20, 2018 - 09:38

Kthimi i 36 hektarëve tokë të AKP-së në pronë të Komunës, të cilët do të shndërrohen në zonë ekonomike, sipas kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit krijojnë mundësi për hapjen e 1 mijë vendeve të reja të punës. Edhe në vitin 2006 Komuna e Skenderajt ishte përpjekur të ndërtojë park biznesi në të njëjtën hapësirë, por kishte hasur në rezistencë të banorëve lokalë, ndërsa tani të njëjtit kanë hequr dorë nga pronat e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka arritur më në fund që t’i bindë asamblistët e Skenderajt që ta votojnë propozim-vendimin e tij për kthimin në pronësi të Komunës të 36 hektarëve tokë në Marinë, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja, me gjithë kundërshtimet e disa prej subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Skenderajt.

Tanimë kur vendimi për shpallje në interes të përgjithshëm të hapësirës në Marinë është marrë, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari është inkurajuar të punojë me përkushtimin më të madh për të tërhequr investitorë jo vetëm të vendit, por edhe investitorë të huaj, shkruan tutje "Zëri".

Duke u ndier i lehtësuar që më në fund ideja e tij ka kaluar dhe krijon parakushte për investime, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka uruar qytetarët e Skenderajt për Parkun e Biznesit dhe njëkohësisht ka premtuar se ekonomia e komunës do të zhvillohet me hovin më të madh dhe se për qytetarët do të ketë edhe vende pune.

LEXO EDHE: Slogani 'Bacë, u kry' pushtoi zemrat e shqiptarëve

“Prej ditës së parë të punës sime në krye të Komunës së Skenderajt jam përkushtuar që të sjell investitorë me të cilët do të punojmë së bashku për ta ngritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Komunës dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve komunale. Andaj, sot u bë hapi i duhur, duke u krijuar edhe parakushtet e nevojshme për investime. Në Parkun e Biznesit të Skenderajt, në Marinë, planifikojmë së bashku me investitorët të hapim fabrika, të cilat do t’i gjenerojnë mbi 1000 vende pune. Projektin e Parkut të Biznesit në Skenderaj e kam diskutuar me qytetarë, ekspertë, asamblistë dhe me investitorë, duke marrë mbështetjen e të gjithëve për këtë projekt madhor për komunën tonë. Po ashtu projekti ka marrë përkrahje edhe nga presidenti i Republikës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj”, thotë kryetari Jashari.

Falënderon këshilltarët komunalë

Ai i falënderon këshilltarët komunalë, që siç thotë “i shprehen besimin për një kapitull të ri, ofrimin e mundësive për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Unë kisha nderin dhe lavdinë e familjes, me të cilin do të jetoj tërë jetën time, por edhe pse hezitoja të merrja përgjegjësi në udhëheqje, respekti i madh i qytetarëve më obligon të jem pranë nevojave dhe interesave të tyre, në punësim dhe në ngritjen e mirëqenies pa dallim. Në Skenderaj, nga 22 tetori, me tërë qenien jam në shërbim të qytetarëve, në pajtim me ligjin, transparencën dhe me llogaridhënien, duke mos lejuar që interesi i individit të jetë përcaktues i zhvillimeve në komunën tonë. Liria e Kosovës ka kuptim kur atë e shijojnë të gjithë”, ka thënë kryetari Jashari.

Por PDK-ja, subjekti më i madh politik në komunën e Skenderajt, e përçarë dhe e shpërndarë, vazhdon të thotë se vetë propozim-vendimi i kryetarit Jashari ka shumë paqartësi dhe se është i mangët edhe në përmbajtje, madje siç thotë PDK-ja “propozimi i referohet procedurës së këmbimit si formë e bartjes së pronësisë, me ç’rast në propozim nuk figurojnë pronat e ofruara për këmbim nga Komuna”.

“Pra, ne nuk e dimë cilat dhe ku gjenden ato prona të Komunës për këmbim. A ka Komuna një sipërfaqe prej 36 hektarësh për këmbim dhe cila do të jetë afërsisht vlera e këtyre pronave, duke marrë parasysh se Komuna nuk ka një pronë me sipërfaqe të tillë në një vend, por janë të shpërndara dhe të parcializuara anekënd territorit administrativ të Komunës”, pohojnë në PDK-në e Skenderajt.

Zona, 36 hektarë

Në anën tjetër, Kuvendi i Skenderajt në njërën nga seancat e veta në vitin 2006 ishte përpjekur që pikërisht këtë hapësirë (36 hektarë tokë në Marinë) ta shpallë në interes të përgjithshëm, gjithashtu për ndërtimin e Parkut të Biznesit.

Propozim-vendimi kishte ardhur nga kryetari i atëhershëm i Skenderajt Ramadan Gashi, ndërsa Komiteti për Politikë e Financa i kishte rekomanduar Kuvendit që ta miratojë.

Por, shumë asamblistë të atëhershëm të Kuvendit, në veçanti ata të PDK-së të Marinës dhe të fshatrave të tjera në afërsi, Polac, Rezallë e Kryshefc, kishin kundërshtuar fuqishëm, duke sqaruar se pronat janë të banorëve të këtyre fshatrave, të cilat u ishin marrë gjatë kohës së komunizmit.

Madje ata kishin njoftuar se secili e ka ndarë pronën e vet dhe se janë të gatshëm dhe të vendosur që edhe t’i blejnë kurdo që AKP-ja i qet në shitje.

Në këtë mënyrë Kuvendi i Skenderajt nuk e kishte miratuar propozim-vendimin e Ramadan Gashit dhe rekomandimin e KPF-së që sipërfaqja prej 36 hektarësh tokë në Marinë t’i merret AKP-së dhe të kthehet në pronësi të Komunës me qellim të ndërtimit të Parkut të Biznesit.

Faruk Hoti nga Marina, i cili në vitin 2006 ishte asamblist i PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, pati thënë se banorët e Marinës, të cilët janë pronarë me letra të pronave në atë pjesë, nuk do të lejojnë kurrë që toka t’u merret.

“Ata e kanë të drejtën në pronën e tyre, tjetër është që pushteti komunist nuk i ka pyetur kur ua ka marrë tokën dhe as s’i ka kompensuar. Ato prona që i ka mbajtur ‘Produkti’ domosdo do t’u kthehen pronarëve legjitim dhe kurdo që ato i shet AKP-ja ata do të jenë të gatshëm t’i blejnë”, pati thënë Hoti. 

Ndërkaq, tani kur hapësira në Marinë është shpallur në interes publik, sipas Hisni Ngucatit, kryetar i OVL-së i cili është nga Marina, banorët lokalë ndonëse kanë ndarë parcelat dhe i kanë punuar prej përfundimit të luftës kanë hequr dorë nga ato prona. 

“Banorët kanë hequr dorë nga pronat në Marinë, të cilat i kanë punuar që prej përfundimit të luftës për t’i dhënë mundësi projektit të Parkut të Biznesit”, ka thënë shkurt Ngucati.