Lluka: Qeveria po e trajton me prioritet çështjen e ujërave të zeza

Ekonomia July 17, 2018 - 14:37
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke e trajtuar me prioritet çështjen e ujërave të zeza dhe me investimet që po bëhen në këtë sektor synohet që të trajtohen deri në 80 për qind e tyre, raporton “Zeri.info”.

Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri gjatë ceremonisë së inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Mramor të Prishtinës, ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, Ambasadori i Republikës Çeke Ivo Silhavy, kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Prishtina”, etj.

Duke folur për investimet në këtë sektor, Lluka tha se tash së fundmi është vënë gurthemeli i impiantit për trajtim të ujërave të zeza edhe në qytetin e Gjakovës, dhe shumë shpejt do të vendoset në Pejë, derisa në Prizren është vendosur tash vonë.

“Po ashtu në Prishtinë jemi duke punuar në një projekt të tillë dhe sapo e kemi aprovuar javën e kaluar edhe për Ferizaj dhe tani në javët e ardhshme do të jetë Mitrovica dhe Gjilani, dhe besoj që të gjitha kryesore do të kenë trajtimin e ujërave pra impiantin kryesor që do të trajtoj diku rreth 80 për qind të ujërave të Kosovës”, tha ai transmeton “Zeri.info”.

Sipas tij, këto projekte kanë rëndësie të jashtëzakonshme sepse, mbulojnë fshatra, qytete dhe aktualisht ujërat e zeza derdhen në liqene.

Nga ana e tij, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha se ndihma e Çekisë për projekte të tilla është e mirëseardhur, ndërkaq u shpreh falënderoi popullin e Çekisë për këtë projekt të një rëndësie të veçantë për banorët e Prishtinës.

Ambasadori i Çekisë, Ivo Silhavy, vlerësoi se ky është projekt i rëndësishëm për ujin e pijshëm që marrin njerëzit e Kosovës dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Çekisë mund ta ndihmojë Kosovën në një projekt të tillë.

Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, tha se projekti është i një teknologjie të avancuar dhe është impianti i dytë pas impiantit të Harilaqit.

Ndryshe, impianti në Mramor të Prishtinës është një investim i Republikës Çeke në vlerë prej 700 mijë euro. /ZËRI/

Image