Kosovarët, 3.2 miliardë € depozita e 2.6 miliardë € kredi

Ekonomia December 03, 2018 - 08:44
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se në fund të tremujorit të tretë (TM3) të këtij viti shuma e depozitave të qytetarëve nëpër bankat komerciale ka arritur në 3 miliardë e 210 milionë euro, derisa në fund të kësaj periudhe raportuese shuma e kredive të qytetarëve ka arritur në 2 miliardë e 681 milionë euro, shkruan sot gazeta "Zëri".

Depozitat e qytetarëve nëpër bankat komerciale që operojnë në vendin tonë në fund të tremujorit të tretë (TM3) të këtij viti kanë arritur në 3 miliardë e 210 milionë euro, derisa në fund të kësaj periudhe raportuese shuma e kredive të qytetarëve ka arritur në 2 miliardë e 681 milionë euro. 

Në raportin tremujor të vlerësimit të sistemit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se sektori bankar gjatë këtij tremujori u karakterizua me rritje më të lartë të aktivitetit kreditues, rënie të investimeve në letrat me vlerë, përderisa indikatorët kyç të shëndetit financiar vazhdojnë të jenë në nivel optimal.

“Aktiviteti kreditues vazhdon të karakterizohet me rritje të përshpejtuar edhe gjatë TM3 2018. Në fund të periudhës së cekur kreditë arritën vlerën prej 2.68 miliardë eurosh, që përkon me një rritje vjetore prej 11.4 për qind. Në baza tremujore kreditë u rritën për 19.8 milionë euro, duke i krahasuar me rritjen për 16.6 milionë eurosh në TM3 2017. Ndikim pozitiv në rritjen e kredive aktive gjatë TM3 2018 kishin kreditë e reja të lëshuara si për ndërmarrjet të cilat shënuan vlerën prej 181.6 milionë eurosh, ashtu edhe për ekonomitë familjare që shënuan vlerën prej 113.3 milionë eurosh. Ofertat më të favorshme bankare të shprehura përmes përmirësimit të kushteve të kreditimit si për ndërmarrjet, ashtu edhe për ekonomitë familjare rezultuan në rritjen e gjithë stokut të kredive aktive deri në fund të periudhës së cekur”, thuhet në raportin tremujor të BQK-së.

Aty më tutje thuhet se në TM3 2018 normat e interesit në kredi kanë ndërprerë trendin e theksuar të rënies, kurse ato në depozita kanë shënuar një rritje të lehtë vjetore.

 “Dallimi në mes të normës së interesit në kredi dhe asaj në depozita u zvogëlua në 5,2 përqindje, nga 5,5 për qind sa ishte në TM3 2017.

Depozitat rriten për 124.1 milionë eure

Depozitat në sektorin bankar të Kosovës u rritën për 124.1 milionë euro në TM3 2018 në baza tremujore dhe shënuan vlerën prej 3.21 miliardë eurosh. Dinamikat që karakterizuan depozitat e sektorit bankar në TM3 2018 u atribuohen zhvillimeve si në kuadër të depozitave për ndërmarrjet, ashtu edhe për ekonomitë familjare.

Depozitat e ndërmarrjeve u rritën për 69.0 milionë euro në këtë tremujor dhe arritën vlerën prej 767.7 milionë eurosh në fund të periudhës së cekur. Në anën tjetër, depozitat për ekonomitë familjare u rritën për 49.3 milionë euro në këtë tremujor dhe arritën vlerën prej 2.28 miliardë eurosh në fund të periudhës së cekur.

“Normat e interesit në depozita, pavarësisht rritjes së lehtë në vitin e fundit, vazhdojnë të jenë në nivele mjaft të ulëta, të krahasuara me periudhat para vitit 2014. Normat e interesit në depozitat për ndërmarrjet vazhdojnë të jenë më të favorshme, duke i krahasuar me normat që ofrohen për ekonomitë familjare. Në depozitat e ndërmarrjeve norma e interesit qëndroi në nivel prej 1,8 për qind në TM3 2018, një rritje për 0,3 pikë përqindje e krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak. Më konkretisht, rritje shënuan normat e interesit në depozitat e afatizuara”, thuhet në raport.

Kreditë e këqija, 2,8%

Sipas raportit të BQK-së thuhet se sektori bankar edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018 u karakterizua me rënie të nivelit të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione.

“Niveli i kredive joperformuese në fund të TM3 2018 qëndroi në 2,8 për qind, që paraqet një rënie prej 0,8 pikë përqindje e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione u përmirësua edhe më tej, duke qëndruar në 156,5 për qind, një rritje që kryesisht i atribuohet rënies së vlerës së kredive joperformuese”, thuhet në raport.

Norma mesatare e interesit për kredi në mikrofinanca arrin në 25,2%

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se norma mesatare e interesit për kredi të institucionet mikrofinanciare në vend në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ka arritur në 25,2%, nga 22,4% sa ishte në fund të tremujorit të tretë të vitit paraprak.

“Normat mesatare të interesit në kredi përgjithësisht ndoqën trendin rritës të dy vjetëve të fundit, duke arritur në 25,2 për qind, nga 22,4 për qind sa ishte mesatarja për tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2017. Përjashtim bëjnë normat e interesit për ndërmarrjet të cilat u karakterizuan me rënie për dallim nga tremujori i njëjtë i vitit paraprak. Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rritën konsiderueshëm për 4,6 pikë përqindje, ndërsa norma e interesit për kreditë ndaj ndërmarrjeve u karakterizua me rënie prej 0,5 pikë përqindje”, thuhet në raportin tremujor të vlerësimit të sistemit financiar të BQK-së.

Aty më tutje thuhet se në kuadër të ekonomive familjare norma mesatare e interesit në kreditë konsumuese shënoi rritje të konsiderueshme për 31,4 pikë përqindje në 56,0 për qind, ndërsa për kreditë hipotekare ajo u zvogëlua për 3,0 pikë përqindje në 22,4 për qind. Në kuadër të kredive ndaj ndërmarrjeve sektori i shërbimeve vijon të ketë normën më të ulët të interesit në kredi. Ndërsa sektori i industrisë mbetet sektori me normën më të lartë të interesit në kredi, pavarësisht rënies prej 1,6 pikë përqindje të normës së interesit krahas TM3 2017”, thuhet në raport.

2.7 milionë euro fitim

Sipas raportit të BQK-së, zhvillimet në aktivitetin kreditues dhe aktivitetin e lizingut në kuadër të sektorit rezultuan në performancë të mirë financiare për institucionet mikrofinanciare edhe gjatë TM3 2018. Profiti i sektorit u shtua në vlerë prej 2.7 milionë eurosh kundrejt TM3 2017, kur ky sektor realizoi profit prej 2.2 milionë eurosh.

“Rritja e profitit kryesisht i atribuohet rritjes së theksuar të të hyrave prej 2.8 milionë eurosh, vlera e të cilave arriti në 11.1 milionë euro në TM3 2018. Më konkretisht, rritja e profitit i atribuohet rritjes së të hyrave nga interesi për 2.5 milionë euro, kategori që përfaqëson rreth 88,0 për qind të gjithsej të hyrave. Rritja e të hyrave nga interesi ishte rezultat i rritjes së aktivitetit kreditues nga institucionet mikrofinanciare në tre vjetët e fundit e po ashtu rezultat i rritjes së normës së interesit të aplikuar për kredi. Gjithsej shpenzimet e sektorit po ashtu shënuan rritje prej 2.4 milionë eurosh dhe arritën në 8.5 milionë euro në TM3 2018. Rritjen më të madhe e patën shpenzimet nga jointeresi prej 5.0 milionë eurosh si rezultat i rritjes së shpenzimeve për personelin dhe atyre administrative”, thuhet në raport.

Më tutje aty thuhet se niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë deri në shtator 2018 mbeti i pandryshuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, në 2,8 për qind, kurse niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione në shtator 2018 arriti në 186.3 për qind, i krahasuar me nivelin prej 185,0 për qind në shtator 2017.

Vlera e aseteve të Fondit Pensional, 1.7 miliard euro

Më tutje në raportin e BQK-së thuhet se sektori pensional gjatë TM3 2018 u karakterizua me rritje si rezultat i kontributeve të reja të arkëtuara dhe performancës pozitive të mjeteve të investuara kryesisht në tregjet e jashtme. Sipas BQK-së, sektori pensional vazhdon të jetë sektori i dytë për nga pjesëmarrja në asetet e sistemit financiar me 28,3 për qind të gjithsej aseteve.

“Stoku i aseteve të këtij sektori deri në shtator 2018 arriti vlerën prej 1.76 miliard eurosh, një rritje vjetore prej 11,2 për qind. Gjatë TM3 2018 asetet e menaxhuara nga sektori pensional u shtuan për 69.6 milionë euro, dukshëm vlerë më e lartë e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje e aseteve reflekton ecurinë e performancës së investimeve, kryesisht të alokuara jashtë vendit dhe përbëjnë pjesën më të madhe të aseteve të fondeve. Më konkretisht stokut të investimeve në fondet e përbashkëta të FKPK-së, që zotëron 99,6 për qind të gjithsej aseteve të sektorit pensional, në këtë tremujor iu shtuan 34.0 milionë euro. Po ashtu gjatë kësaj periudhe edhe investimet në vend, përkatësisht në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, u shtuan për 40.9 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së.

Aty më tutje thuhet se fondet pensionale që operojnë në Kosovë kanë strategji të ndryshme të investimit të aseteve të tyre. FKPK-ja vazhdon të ndjekë një strategji të kujdesshme të investimit, duke siguruar diversifikim të rrezikut nga investimi në fonde të përbashkëta investuese, të cilat menaxhohen nga ndërmarrjet për menaxhimin e mjeteve. “Në këtë tremujor FKPK-ja kishte performancë pozitive nga investimet ku vlerësimi i aseteve të investuara u rrit, duke rezultuar në një kthim bruto prej 35.6 milionë eurosh krahas kthimit bruto prej 10.2 milionësh në tremujorin e tretë të vitit paraprak. Ndërsa FSKP-ja pati një ngadalësim të kthimit bruto nga investimet, duke zbritur në 225.9 mijë euro nga 349.4 mijë euro në TM3 2018.

Pagesa e dëmeve rritet për 17,4%

Më tutje në raportin tremujor të vlerësimit të sistemit financiar të BQK-së thuhet se rritja e të hyrave nga primet dhe menaxhimi efikas i shpenzimeve operative ndikuan që sektori i sigurimeve të kishte rezultat pozitiv financiar. Si rezultat i dinamikave pozitive në sektor rritja e shpenzimeve për dëmet e paguara nuk ndikoi në nivelin e të hyrave neto, të cilat megjithatë rezultuan të jenë më të larta, të krahasuara me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Asetet e sektorit të sigurimeve gjatë TM3 2018 u karakterizuan me rritje të përshpejtuar, duke ndihmuar ne rikuperimin gradual të sektorit nga gjendja jo e favorshme financiare e sektorit në vitet paraprake. Në TM3 2018 asetet u dyfishuan dhe arritën në vlerë prej 6.3 milionë eurosh kundrejt TM3 2017. Gjatë këtij tremujori strategjia e mbajtjes së aseteve u zhvendos nga paratë e gatshme dhe depozitat në banka, të cilat u karakterizuan me rënie të investimeve në letrat me vlerë, të cilat shënuan rritje. Kjo strategji mund të jetë ndikuar nga rritja e normës së kthimit nga ky instrument gjatë tremujorit raportues”, thuhet në raport. Aty më tutje thuhet se ecuria e gjithsej aseteve të sektorit reflekton zhvillimet në sektorin e sigurimeve “jojetë”, asetet e të cilave u shtuan për 4.1 milionë gjatë tremujorit të tretë.

Edhe pse sektori “jetë” ka peshë të vogël në gjithsej asetet e sektorit të sigurimeve, rritja e aseteve të tyre për 2.2 milionë euro ndikoi po ashtu në ecurinë pozitive të aseteve të sektorit. Vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve gjatë TM3 2018 arriti vlerën prej 24.8 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 4.3 për qind. Primet e sigurimit “jojetë” përfaqësojnë 96,9 për qind të gjithsej strukturës së primeve të shkruara.

Vlera e primeve të shkruara nga sigurimi “jojetë” u rrit për 3,9 për qind dhe arriti në 24.1 milionë euro. Ndërsa vlera e primeve të shkruara nga sigurimi “jetë” u karakterizua me rritje vjetore prej 18.0 për qind, duke arritur në 673.7 mijë euro. Më tutje në raport thuhet se dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve dhe Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) u rritën në 11.5 milionë euro në TM3 2018, nga 9.8 milionë euro sa ishin në TM3 201 e që paraqet një rritje vjetore prej 17.4 për qind. “Pavarësisht rritjes në arkëtimet prej primeve të shkruara niveli më i lartë i dëmeve të paguara ndikoi në përkeqësimin e raportit dëme/prime, i cili në TM3 2018 arriti në 46,4 për qind, nga 41,2 për qind sa ishte në tremujorin e tretë të vitit 2017. Ky zhvillim nënkupton që një shumë më e lartë e të ardhurave nga primet duhet të dedikohet për mbulimin e dëmeve”, thuhet në raportin e BQK-së.
Të hyrat nga primet u rritën për 6,8%
Sipas BQK-së, sektori i sigurimeve në TM3 2018 shënoi performancë më të mirë financiare i krahasuar me TM3 2017 si pasojë e rënies së shpenzimeve dhe rritjes së të hyrave. Të hyrat neto nga primet e sektorit të sigurimeve në TM3 2018 shënuan rritje vjetore prej 6,8 për qind, përderisa në të njëjtën periudhë shpenzimet e sektorit të sigurimeve u karakterizuan me rënie prej 11,3 për qind, të krahasuara me TM3 2017.

“Rrjedhimisht rritja e të hyrave dhe rënia e shpenzimeve zbutën ndikimin e rritjes së dëmeve të ndodhura prej 38,2 për qind, duke rezultuar në një fitim më të lartë të krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak prej 1.3 milion eurosh (1.1 milion euro në TM3 2017). Sa i përket pozitës së likuiditetit të sektorit, ky indikator shënoi përmirësim të lehtë në TM3 2018, duke marrë për bazë stokun e aseteve deri në shtator 2018. Përmirësimi i indikatorit të likuiditetit të sektorit i atribuohet kryesisht rënies vjetore më të vogël të stokut të parasë së gatshme dhe ekuivalentëve të saj (0,7 për qind) kundrejt rënies së rezervave teknike (0,9 për qind), ku raporti në mes tyre arriti në 98,7 për qind, nga 98,6 për qind në shtator 2017. Përderisa treguesi tjetër i likuiditetit u zvogëlua në masë të vogël, kryesisht i ndikuar nga rritja e gjithsej detyrimeve prej 1,3 për qind kundrejt rënies së lehtë të stokut të parasë së gatshme dhe ekuivalentëve të saj. Raporti ndërmjet parasë së gatshme dhe ekuivalentëve të saj ndaj gjithsej detyrimeve në shtator 2018 qëndroi në 87,0 për qind, nga 88,8 për qind sa ishte në shtator të vitit të kaluar”, thuhet në fund të raportit të BQK-së./ZERI