Kryesindikalisti i “Trepçës” merr pagë mujore prej 1903 eurosh

Ekonomia January 18, 2019 - 08:27
Lexoni detajet

Image

Image

 

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se ai si drejtues i Shërbimeve Teknike dhe si anëtar i Bordit Mbikëqyrës, të cilin vetë nuk e njeh, merr një pagë mujore prej 1903 eurosh, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shyqyri Sadiku, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, lirshëm mund të konsiderohet si një ndër zyrtarët më të paguar në vend. Madje në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se ai si drejtues i Shërbimeve Teknike, si anëtar i Bordit Mbikëqyrës, të cilin vetë nuk e njeh, merr një pagë mujore prej 1903 eurosh.  

LEXO EDHE: S’ka buxhet për rritje të pagave, grevat vazhdojnë

Në dokumentet e siguruara shihet se Sadiku pagën sipas kontratës e ka 993 euro në muaj. Ai po ashtu përveç kësaj merr shtesën prej 127 eurosh si pagë për punën e kaluar, 23 euro shtesa stimulative, si dhe 163 euro shtesa mujore për Çetën e Shpëtimit. Po ashtu, përveç kësaj page Sadiku si anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” merr edhe një pagë mujore prej 600 eurosh, edhe pse realisht vetë sipas deklaratave të dhëna në publik ai nuk e njeh këtë Bord. 

I pyetur se nëse nuk e njeh Bordin Mbikëqyrës, atëherë pse merr pagë si anëtar i Bordit, Sadiku tha se nuk është puna nëse ai e njeh Bordin Mbikëqyrës ose nuk e njeh, sepse edhe ai është pjesë e tij, por ka potencuar se janë minatorët dhe përgjithësisht sindikalistët, të cilët nuk e dëshirojnë një Bord që nuk punon asgjë.

 “Nuk është puna se unë nuk e njoh Bordin Mbikëqyrës, edhe unë jam pjesë e këtij Bordi. Në çdo takim që kemi mbajtur kam potencuar problemet me të cilat përballen punëtorët e ‘Trepçës’, kam kërkuar që si Bord të dalin dhe të flasim me minatorët, t’ua tregojmë të vërtetën se çfarë po ndodh në ‘Trepçë’, por kërkesat dhe sugjerimet e mia nuk i kanë përfillur anëtarët e tjerë të Bordit. Unë jam pjesë e Bordit Mbikëqyrës me propozimin e sindikalistëve dhe të punëtorëve të ‘Trepçës’, ata akoma nuk më kanë thënë që të dalë nga Bordi. Në momentin që ata kërkojnë nga unë ta lëshoj Bordin, këtë edhe do ta bëj. Ata më kanë çuar aty, ata edhe mund të kërkojnë të dal nga ai Bord. Përsëris, nuk është puna a e njoh unë ose jo Bordin, është puna që ky Bord është treguar i pasuksesshëm dhe për këtë arsye duhet të ndërmerret diçka”, i ka thënë “Zërit” Shyqyri Sadiku, kryesindikalisti i ‘Trepçës’, të enjten. 

Ai më tutje ka thënë se ndonëse në shikim të parë pagat në “Trepçë” duken të larta, në realitet në bazë të asaj se në çfarë kushtesh janë duke punuar minatorët pagat janë të ulëta.

“Aty në llogari bankare i kam lënë, nuk i kam tërhequr. Vetëm unë dhe një tjetër anëtar i Bordit i marrim nga 600 euro, katër anëtarët tjerë i marrin nga 800 euro. Pse nuk po hulumtohen edhe anëtarët tjerë të Bordit? Aty ka edhe profesorë të fakultetit, të cilët kanë pagën 2 mijë euro, ndërsa këtu si anëtarë të Bordit i marrin nga ‘Trepça’ bile edhe nga dy paga, nga 800 euro si anëtarë të Bordit dhe nga 200 euro në emër të njëfarë komisioni”, ka thënë Sadiku.

Sadiku: Po vazhdojnë shantazhet ndaj meje 

Sadiku më tutje ka ripërsëritur se akoma po vazhdojnë shantazhet dhe një formë e kërcënimeve të menaxhmentit ndaj punëtorëve.

“Kanë vazhduar me shantazhe dhe me disa forma të kërcënimeve, në kuptimin se do të ndërmerren masa ndëshkuese. Këta njerëz kanë shkuar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e edhe në Kryeministri për të më shantazhuar mua, për të kërkuar të dinë nëse unë kam të drejtë të jem anëtar i Bordit. Ata edhe pagën që marr si anëtar i Bordit ma kanë vonuar vetëm mua, tash ma kanë qitur para dy-tri ditëve, ndërsa të tjerët e kanë marrë qëmoti”, ka sqaruar kryesindikalisti i “Trepçës”. 

Por pavarësisht se Sadiku po këmbëngul se puna si zyrtar i ndërmarrjes dhe njëkohësisht si anëtar i Bordit Mbikëqyrës nuk paraqet konflikt interesi, Ligji për Ndërmarrjet Publike, respektivisht Neni 17 përkufizon shumë qartë se kur një person mund të shërbejë si drejtor dhe kur ai person mund të konsiderohet si i pavarur.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet si i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një ndërmarrje publike nëse aktualisht është zyrtar ose menaxher i NP-së përkatëse, ose cilësdo nga filialet e saj, ose ka shërbyer si zyrtar, ose si menaxher i NP-së brenda pesë vjetëve të kaluara”, thuhet në pikën A të Nenit 17,2 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Aty më tutje në pikën B thuhet se “Anëtar bordi nuk mund të jetë një zyrtar i cili aktualisht është punëtor i nivelit të lartë të NP-së ose ka shërbyer si punonjës i nivelit të lartë të NP-së në tre vjetët e fundit, ose e pranon se ka pranuar brenda 3 vjetëve të fundit kompensim shtesë nga NP-të përkatëse ose filialet e saj”. Po ashtu edhe Ligji për Shoqëritë Tregtare, më saktësisht Neni 164 precizon saktë se asnjë zyrtar, menaxher, ose punonjës i shoqërisë aksionare nuk mund të shërbejë njëkohësisht të propozohet për drejtor të shoqërisë aksionare.

Greva, spontane 

“Gjendja e minatorit tani është shumë e rëndë dhe e vështirë për t’u përballuar, minatorëve u mungojnë edhe gjërat më elementare, nga ushqimi shumë i dobët, banja për pastrim, gardëroba për rroba të punës. Çka është më kryesorja minatorët nuk kanë ligj për pensionim, pasi janë të detyruar të punojnë derisa t’i mbushin 65 vjet në kushte shumë të rënda në minierë. Minatorët nuk kanë sigurimin shëndetësor, nuk kanë siguri në punë, nuk ka ligj për invalidë të punës, për trashëgimi të pensionit familjar, thjesht ata nuk kanë asgjë. Për shkak të kushteve të vështira, ata edhe po vdesin. Prej vitit 2016 e deri në këtë vit kanë vdekur 27 minatorë që kanë qenë në marrëdhënie pune”, ka sqaruar Sadiku. 

I pyetur nëse greva e fundit është nxitur dhe është iniciuar nga politika, Sadiku ka thënë se greva e fundit ka qenë krejtësisht spontane, ndërsa greva e korrikut ka qenë e organizuar nga SP-ja e Punëtorëve të “Trepçës”. “Protesta, e pastaj edhe greva e minatorëve ka nisur krejtësisht spontanisht, minatorët kanë shtruar kërkesat e tyre, ndërsa ne u kemi shpjeguar atyre për kërkesat nga greva e pezulluar e korrikut se deri në ç’masë janë plotësuar ato. Situatën e ka tensionuar menaxhmenti, i cili ka ardhur te grevistët dhe ka kërcënuar me masa ndëshkuese nëse nuk i kthehen punës. Grevistët janë kërcënuar edhe me suspendime. Pas këtyre kërcënimeve minatorët vendosën të vazhdojnë me grevën dhe ta formojnë Këshillin Grevist, ndërsa ne si Sindikatë i kemi përkrahur kërkesat e tyre, në mesin e të cilave ka qenë edhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës. Madje kjo ka qenë një prej kërkesave kryesore, bashkë edhe me kërkesën për rritjen e pagave 20 për qind. Shkarkimi i Bordit dhe i menaxhmentit kanë qenë kërkesa të minatorëve dhe të Këshillit Grevist e jo kërkesë e Shyqyri Sadikut”, ka thënë ai./ZERI

 

Image

Image

Image