Bordi i Telekomit i quan tendencioze deklaratat e ministrit Lluka

Bordi i Telekomit i quan tendencioze deklaratat e ministrit Lluka

Ekonomia March 19, 2019 - 13:35
Lexo Detajet

Pas shqyrtimit të mometumit, në të cilin është targetuar Telekomi i Kosovës dhe me qëllim të realizimit të interesave të ndryshme që mund të jenë evidente, Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës vendos që të bëjë këtë deklaratë për opinionin publik, thuhet një një komunikatë për media të Bordit të Telekomit, raporton portali “Zëri.info”:

Më tej në deklaratë thuhet se  deklaratat politike të ministrit të MZHE, z. Valdrin Lluka, besojmë se janë shumë tendencioze duke pasur parasysh që Telekomi i Kosovës është në periudhën e marrjeve të vendimeve shumë të rëndësishme që mundësojnë afarizm normal të kompanisë në të ardhmen.

“Telekomi i Kosovës është në fazën e shqyrtimit të kontratës me Z Mobile, e cila për vite me radhë e ka rënduar funksionimin normal të Telekomit të Kosovës dhe që e ndikon afarizmin financiar negativisht me miliona euro. Momentalisht Telekomi ka emëruar ekipin që është duke negociuar me Z Mobile dhe vazhdimisht jemi duke u përpjekur që të jemi të informuar që në fund të arrihet një marrëveshje që do të jetë e leverdishme për kompaninë”.

Bordi është shprehur në dijeni që edhe çështjet tjera që po diskutohen janë të rëndësishme, por impakti financiar është minor, karshi me problemet reale që i ka Telekomi i Kosovës. “Ne në vazhdimësi kemi kërkuar bashkëpunim prej ministrit Lluka, por përveç që nuk është përgjigjur pozitivisht, për më tepër nuk na ka njoftuar zyrtarisht për shumë çështje, të cilat janë të rëndësishme për Bordin dhe kompaninë në tërësi dhe kanë ndikim në vendimmarrjen e drejtë dhe në interes të Telekomit të Kosovës”.

“Deklaratat e ministrit Valdrin Lluka, përveç tjerash po e dëmtojnë afarizmin e kompanisë duke ndikuar në uljen e satisfaksionit të konsumatorëve dhe dyshojmë që këto deklarata mund të jenë të lidhura edhe me procesin e privatizimit, të cilin ministri Valdrin Lluka e ka paralajmëruar”.

Dëmtimi i afarizmit të Telekomit mund t’i shërbejë interesave të subjekteve të ndryshme që mund të kenë pretendime ndaj dhe nga Telekomi, andaj ju lusim që të përmbaheni nga deklarimet e tilla që seriozisht po e dëmtojnë të ardhmen e Telekomit të Kosovës, përfundon komunikata.