Vonesat në pagesa të faturave u sjellin humbje institucioneve
Foto: Laura Hasani

Vonesat në pagesa të faturave u sjellin humbje institucioneve

Ekonomia May 18, 2019 - 08:11
Lexo tjera detaje
Image

Përmbaruesit privatë gjatë vitit që lamë pas shuma të konsiderueshme të parave u kanë marrë institucioneve të cilat nuk kanë paguar faturat ndaj operatorëve ekonomikë ashtu siç ka qenë e precizuar me kontratë. Sipas Auditorit, si pasojë e vendimeve të përmbaruesit Komuna e Obiliqit ka shpenzuar 9 mijë euro më shumë, derisa ajo e Rahovecit 4300 euro, shkruan Gazeta "Zëri".

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për institucionet qendrore, ato të pavarura, por edhe për institucionet lokale ka gjetur shkelje të mëdha, ku si pasojë e mospagesës së faturave ashtu siç është e paraparë me ligj institucionet kanë humbur shuma të mëdha parash.

Sipas Auditorit, në Komunën e Zubin Potokut, sipas Nenit 40 të LMFPP-së, Thesari ka ekzekutuar dy pagesa në vlerë prej 20.390 eurove nga buxheti i Komunës direkt në llogari të përfituesve. Sipas ZKA-së, pagesat ishin si rezultat i mosmarrëveshjes në mes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komunës për punëtorët e njësisë së zjarrfikësve (nëntë veta), të cilët duhej të transferoheshin te komuna.

“Komuna nuk ka pasur pozita të buxhetuara dhe të lejuara te njësia e zjarrfikësve, kështu që kanë mbetur jashtë listës së pagave. Komuna nuk ka ushtruar të drejtën e saj për t’u mbrojtur pasi nuk ka zyrtar ligjor të punësuar, si dhe nuk e ka kundërshtuar vendimin gjyqësor. Kjo ka rezultuar me një obligim prej gjithsej 88.470 eurove, nga të cilat 68.080 euro kanë ngelur si obligime për t’u paguar në vitin 2019. Pagesat i ishin bërë nga kategoritë e gabuara ekonomike, ku njëra pagesë në vlerë 13.283 euro ishte nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa tjetra 7.107 euro nga investimet kapitale, përderisa Komuna kishte kërkuar që ato mjete të paguheshin nga pagat dhe mëditjet.

Sipas menaxhmentit të Komunës, deri te kjo situatë ka ardhur për shkak se Komuna ka njësinë e saj të zjarrfikësve dhe nuk ka pasur mundësi të sistemojë zyrtarë tjerë si zjarrfikës, pasi nuk ishin planifikuar ato pozita me buxhetin e Komunës. Gjithashtu edhe komunikimi i mirëfilltë në mes institucioneve ka munguar”, thuhet në raportin e ZKA-së. Aty më tutje thuhet se situata të tilla kur ka konteste në mes Komunës dhe palëve tjera dhe kur Komuna nuk e shfrytëzon mundësinë e ushtrimit të mbrojtjes ligjore do të ndikojnë që të kryhen pagesa të paplanifikuara dhe e rëndojnë buxhetin e Komunës. Auditori ka konstatuar gjithashtu se pagesat e ekzekutuara nga Thesari nga kategori ekonomike joadekuate do ta vendosin Komunën në vështirësi për të kryer projektet e saj kapitale, respektivisht furnizimet me mallra dhe shërbime të nevojshme.

“Kryetari duhet të sigurojë që në strukturën organizative të ketë njësinë ligjore, respektivisht një zyrtar ligjor në mënyrë që në konteste gjyqësore të ketë përfaqësim të mbrojtjes ligjore. Më tutje duhet të kërkojë nga Thesari të zbatojë rregullat financiare që të mos vijë në situatë ku kryhen pagesa direkte pa u zbatuar procedura për obligimet e papaguara. Po ashtu kryetari duhet të ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e statusit të punëtorëve të zjarrfikësve, njëkohësisht këtë situatë ta trajtojë me organet tjera kompetente dhe të eliminojnë kontestet e tilla, në mënyrë që të mos vijë deri te dëmtimet buxhetore për pagesën e ngarkesave shtesë të shpenzimeve për procesin gjyqësor”, thuhet në raport.

Komuna e Rahovecit humbi 4600 euro

Edhe në Komunën e Rahovecit, sipas Auditorit, nga 13 rastet e audituara kanë vërejtur se Thesari në bazë të vendimeve gjyqësore dhe dispozitave të Nenit 39.2 të LMFPP-së ka ekzekutuar pagesa në favor të operatorëve dhe zyrtarëve komunalë prej 105.933 €, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar me shpenzime shtesë prej 4.360 € si shpenzime për procedurë përmbarimore, të interesit etj. Kryesisht vonesat në pagesën e obligimeve për shkak të mosplanifikimit me kohë, sidomos për pagesën e pagave jubilare për zyrtarët me rastin e pensionimit.

Sipas ZKA-së, hyrja në obligime pa sigurimin e mjeteve, vonesat në zbatimin e marrëveshjeve, si dhe mosplanifikimi e kompensimi i pagave jubilare shkakton vazhdimësinë e dukurisë së ekzekutimit të pagesave nga Thesari përmes vendimeve gjyqësore, ku shpenzime shtesë administrative mund të ndodhin. Kjo çekuilibron projeksionet buxhetore dhe rrezikon arritjen e objektivave dhe realizimin e projekteve të planifikuara.

“Kryetari i Komunës duhet të forcojë kontrollet për t’u siguruar se disponojnë fonde të nevojshme për përmbushjen e obligimeve financiare me kohë. Më tej të sigurojë se Komuna trajton të gjitha obligimet ligjore ndaj pretenduesve legjitimë dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e tyre me qëllim të eliminimit të shpenzimeve të panevojshme shtesë”, thuhet në raport.

9 mijë euro humbje Komuna e Obiliqit

Po ashtu edhe në Komunën e Obiliqit, sipas ZKA-së, sipas Nenit 39.2 të LMFPP-së, çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim për mallrat dhe shërbimet e furnizuara ose punët e realizuara për OB-në duhet të paguhet brenda 30 ditëve pas pranimit të faturës. Ndërsa sipas Nenit 40 të LMFPP-së, fatura mund të ekzekutohet direkt nga Thesari pas marrjes së urdhrit të prerë nga gjykata/përmbaruesi. Duke u bazuar në kriteret e mësipërme, Thesari kishte ekzekutuar pagesa në vlerë prej 62.538 € nga buxheti i Komunës direkt në llogari të operatorit ekonomik (OE)/përmbaruesit. Punët ishin të përfunduara, mirëpo nuk ishin paguar sipas procedurave të rregullta për shpenzimin e parave publike. Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së mjeteve buxhetore për shpenzimet përkatëse. Ekzekutimi i këtyre pagesave kishte shkaktuar shpenzime shtesë për 9.000 euro.

“Format e pagesës përmes vendimeve gjyqësore rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara kapitale ose realizimin e shërbimeve nga ku janë marrë mjetet për pagesë. Pagesat e tilla shkaktojnë dëmtim shtesë të buxhetit për shkak të shpenzimeve përmbarimore. Kryetari duhet të sigurojë kontrolle, përgjegjshmëri më të lartë ndaj kryerjes së obligimeve me kohë ndaj operatorëve, si dhe të shmangë hyrjen në obligime në mungesë të mjeteve ose kontratës. Gjithashtu gjatë planifikimit buxhetor të bëhet një vlerësim i shumave të mundshme të daljes së parasë nga kontestet gjyqësore dhe këto të planifikohen në kuadër të buxhetit vjetor, në mënyrë që të mos rrezikohet realizimi i projekteve tjera të planifikuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Vonesa të pagesave edhe Komuna e Skenderajt

Sipas Auditorit, gjetje të kësaj natyre janë evidentuar edhe në Komunën e Skenderajt. “LMFPP-ja përcakton ZKF-në e organizatës buxhetore përgjegjëse për të siguruar që çdo faturë të vlefshme dhe kërkesë për pagim për mallrat dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim nga organizata përkatëse buxhetore.

Ne kemi identifikuar se Thesari kishte ekzekutuar në bazë të vendimeve gjyqësore pagesa në vlerë prej 406.025 €. Prej tyre borxhi kryesor ishte 378.130 € dhe shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit) ishin 27.895 €. Po ashtu kjo formë e pagesave nga Thesari ka ndikuar në marrjen e mjeteve nga kategoritë ekonomike joadekuate. Keqklasifikimi nga këto pagesa ishte në vlerë prej 62.475 €.

Pagesat kryesisht kishin të bëjnë me pagesat e dala nga marrëveshja kolektive për pagesë të tri pagave jubilare të punonjësve të arsimit dhe tri paga përcjellëse me rastin e pensionimit, si dhe vonesat në pagesa për OE-në si shkak i mungesës së mjeteve buxhetore”, thuhet në raportin e Auditorit. Aty më tutje thuhet se situata e krijuar që pagesat të ekzekutohen direkt nga ana e Thesarit përmes procedurave të përmbarimit ndikon direkt në rritjen e kostos për Komunën dhe shpeshherë edhe në keqklasifikimin e shpenzimeve. Sipas Auditorit, kryetari duhet të sigurojë bashkëpunim me MF-në, ashtu që obligimet që dalin nga marrëveshja kolektive të planifikohen/buxhetohen dhe paguhen në kohën e duhur nga kategoria e pagave dhe mëditjeve. /ZERI