Sa para i ruajnë qytetarët e Kosovës nëpër banka

Sa para i ruajnë qytetarët e Kosovës nëpër banka

Ekonomia May 18, 2019 - 19:51
Lexoni detajet

Kosovarët janë duke i ruajtur 3.3 miliardë euro nëpër bankat komerciale. Pjesa dërmuese e kursimeve janë të ekonomive familjare.

Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës për muajin mars thuhet se 2.3 miliardë janë para të depozituara nga ekonomitë familjare dhe vetëm 825 milionë nga ndërmarrjet.

Rritja vjetore e depozitave është 10.1%. Rritja vjetore e depozitave të ekonomive familjare është 7.7%  kurse për ndërmarrjet është 19.8%.

Sipas të dhënave të BQK-së, në bankat komerciale në Kosovës janë depozituara 167.9 milionë euro në valutën jo euro.

Norma e interesit në depozita nga bankat komerciale është 1.5%. Norma e interesit në depozitat për ekonomitë familjare është 1.3%, prej të cilave 0.0% të transferueshme, 0.3% të kursimeve, 1.3% të afatizuara.

Norma e interesit në depozita për ndërmarrjet është 2.1%, prej të cilave 0.0% të transferueshme, 0.5% të kursimeve dhe 2.1 % të afatizuara.

Kurse dallimi i normës kredi-depozitë është 5.2 pikë të përqindjes.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në territorin e Kosovës janë gjithsej 10 banka komerciale.

Prej gjithsej 10 bankave komerciale, 8 janë në pronësi të huaj.

Këto 10 banka komerciale kanë të shtrira 218 njësi në të gjithë Kosovën. Kurse numri i personave të punësuar nëpër bankat komerciale është 3276.