Kosova shpenzon 1 për qind të GDP-së për veteranët

Kosova shpenzon 1 për qind të GDP-së për veteranët

Ekonomia May 19, 2019 - 22:00
Lexo Detajet

Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar i shohin si shqetësim rritjet e skemave sociale. Sipas tyre, rritja ekonomike në vend duhet të transmetohet me shtimin e vendeve të punës. Ata kanë theksuar se vetëm për pensionet e veteranëve shpenzohet 1% e GDP-së së vendit.

Ekonomia e Kosovës në vitin 2018 ka shënuar rritje prej 4.2%. E këtë e pohojnë edhe nga zyra e  Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Nga ky institucion ndërkombëtar parashohin rritje ekonomike edhe për vitin 2019 dhe vitin 2020.

Por, rritja në vitin 2020 nuk do të jetë mbi 4%.

Këtë për T7 e thotë Ruud Vermeulen, që është  përfaqësues i FMN-së në Kosovë.

“Për këtë vit shohim se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje për 4.2%, përqindje kjo më e lartë se vitin e kaluar. E gjithë kjo për shkak të investimeve. Por, përtej kësaj në 2020 dhe vazhdimësi pritet që rritja të jetë rreth 4%, që ne e shohim si potencial.”

Por, pavarësitë kësaj rritjeje ekonomike, nuk janë krijuar vende të reja të punës.

Sipas Vermerulen, e gjithë kjo ndodh për shkak të modelit të investimeve që kryhen në Kosovë.

“Ekonomia e vendit është e shtyrë drejt konsumit dhe investimeve në investimeve të pakthyeshme si patundshmërive dhe ndërtimit që shumica janë të financuara nga remitancat (paratë që vijnë nga Diaspora). Nuk mendojmë që kjo është një mënyrë e mirë për zhvillim.”

Më tutje, përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë thotë që autoritetet duhet t’i shtyjnë investimet për prodhime dhe eksport që do të mund të krijonin mundësinë edhe për punë.

Ruud Vermeulen përkundër kësaj thotë se shqetësim për buxhetin e Kosovës mbetet shtimi i skemave sociale.

Sipas tij, vetëm për pensionet e veteranëve shpenzohet 1% e GDP-së së vendit.

“Që nga fillimi i aplikimit të skemës për veteranët kemi qenë të shqetësuar rritjen e shpejtë të numrit të tyre. Kështu, sot kemi mbi 40 mijë veteranë të luftës që marrin pension që ka një impakt në buxhetin e shtetit. Kjo nënkupton që sot 1% e GDP-së së Kosovës shpenzohet vetëm për veteranët.”

Shqetësues për FMN-në është edhe shtimi i vazhdueshëm i skemave të tjera sociale, pasi që sipas Vermeulen përfitimi i një kategorie i shtyn të tjerët të kërkojnë pensione nga Qeveria.

Ndër të tjera, Ruud Vermeulen ka folur edhe për ndërtimin e termocentralit Kosovës së Re duke thënë që Kosova duhet të ketë kujdes që të mos e thellojë borxhin publik.