Gati 25 mijë familje jetojnë me social
Foto: Laura Hasani

Gati 25 mijë familje jetojnë me social

Ekonomia January 16, 2020 - 10:13

Ndihma sociale nga 60 e deri në 180 euro në muaj po shihet e pamjaftueshme për afro 25 mijë familje në Kosovë, të cilat varen nga ai. Ndonëse nga fillimi i vitit 2019 e deri në fund të vitit ky numër ra për disa qindra familje prapë gjendja po vlerësohet si shqetësuese, shkruan sot gazeta Zëri.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur që në fillimvitin e kaluar numri i familjeve që përfituan nga ndihma sociale ishte 24 mijë e 955. “Duke u bazuar në gjendjen e muajit mars (TM1) 2019 numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 24.995 familje. Duke u bazuar në gjendjen e muajit mars (TM1) 2019,numri i anëtarëve te familjes që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 102.035 anëtarë”, është bërë e ditur në statistikat e ASK-së.

Tremujori i dytë i 2019-s u karakterizua me ulje të familjeve që përfitojnë social nga shteti. Në statistikat e regjistruara për muajin qershor vetëm 24 mijë e 767 familje përfituan këtë ndihmë. “Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24.767 familje me gjithsej 100.995 anëtarë”, prezantohet tutje në këto statistika.

E për ta mbyllur nëntëmujorin ASK-ja njoftoi se gjatë muajit shtator numri i familjeve që përfituan nga ndihmat sociale ishte 24 mijë e 526 familje. “24.526 familje me gjithsej 99.718 anëtarë dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2.193 familje”, bëhet e ditur në statistikat nëntëmujore të ASK-së.

Ndërsa sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në muajin nëntor në listën e skemës së asistencës sociale kanë qenë 24 mijë e 195 familje. “Në muajin nëntor 2019 në listën e skemës së asistencës sociale kanë qenë 24 mijë e 195 familje. Këto familje kanë 98 mijë e 169 anëtarë të familjes”, ka bërë të ditur për “Zërin” udhëheqësi i zyrës për komunikim me publikun në MMPS, Musa Demiri. /ZERI