Kadrijaj: Kosova çdo ditë po i afrohet rrezikut financiar

Kadrijaj: Kosova çdo ditë po i afrohet rrezikut financiar

Ekonomia January 22, 2020 - 10:34
Bllokimi i pagesave është një nxitje për trazira

Mosmiratimi i projektbuxhetit për vitin 2020 mund të nxisë krizë financiare, buxhetore e sociale në vend. Kjo gjë po pohohet nga njohësit e çështjeve ekonomike, teksa për ata që e monitorojnë punën e Kuvendit është duke u theksuar se pa konstituimin e komisioneve parlamentare nuk mund të ketë miratim të buxhetit në Parlament.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se në bazë të situatës së krijuar Kosova është duke iu afruar rrezikut financiar. “Duke marrë parasysh që afati i maturimit të buxhetit është njëvjeçar, vlerësoj që çdo ditë Kosova si shtet po i ofrohet rrezikut financiar. Në bazë të ligjeve në fuqi nëse deri në fund të marsit nuk kemi institucione dhe nuk miratohet buxheti për vitin 2020 kriza financiare do të ketë efektin e dominosë”, ka thënë ai.

Sipas Kadrijajt, bllokimi i pagesave është një nxitje për trazira, pasi kjo do të prekte pjesë të ndryshme, si të administratës, ashtu edhe sektorin privat. “Duke u bllokuar pagesat vlerësoj që do të mundë të nxiten trazira, sepse do të prekej administrata publike e sektori privat dhe sepse ka shumë kontrata që janë në ekzekutim e sipër, si në nivel qendror dhe lokal. Njëherësh do të preken edhe veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, si dhe rastet sociale. Pa dyshim do të ngrihet pakënaqësia dhe mund të vijë deri te një trazirë sociale”.

Kjo gjë, sipas Kadrijajt, do të jepte një shembull të keq të Kosovës për vendet e tjera. “Do të japim një shembull jo të mirë si te miqtë ndërkombëtarë, po ashtu edhe te shtetet të cilat e kontestojnë shtetësinë e Kosovës. Ata do të kenë edhe një argument më shumë që ne nuk dimë të marrim fatin tonë me duart tona. Si përfundim, partitë fituese, pra LVV-ja duhet t’i tejkalojë kundërshtitë politike, duke u treguar më pragmatike dhe të vijë deri te një formulë qeverisëse”, ka thënë ai për gazetën./Zëri.