KRU ‘Prishtina’ paralajmëron shkyçje nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për konsumatorët me borxh mbi 100 euro

KRU ‘Prishtina’ paralajmëron shkyçje nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për konsumatorët me borxh mbi 100 euro

Ekonomia January 27, 2020 - 10:11

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit si, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas, Podujevë, Shtime dhe Graçanicë se, aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave, ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit është duke vazhduar me intensitet të lartë.

KRU “Prishtina” paralajmëron se nga dita e sotme [27 janar], do të shkyçet secili konsumatorë që ka borxhe ndaj shërbimeve më shumë se 100 euro.

“KRU ‘Prishtina’ pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci prej mbi 10 metra nga kuota maksimale e kapërderdhjes, po mundohet të mos e dëmtojë konsumatorin në marrjen e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe do të tentojë maksimalisht që të mos aplikojë reduktime deri në momentin ku do të jetë i pamundur një furnizim me ujë pa reduktime, si shkak i mungesës së reshjeve atmosferike. Andaj, menaxhimi i sistemit të ujësjellësit të Prishtinës për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër, kushton”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”, përcjell Telegrafi.

Kompania thotë se konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit e kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar.

“KRU ‘Prishtina’ ka intensifikuar aktivitetet për arkëtimin e borxheve edhe përmes detyrimit (shkyçje individuale të shërbimit, padi gjyqësore, përmbarues privat, etj) dhe natyrisht kjo shkakton shpenzime shtesë për buxhetin tuaj familjar (shkyçja dhe rikyçja e ujit dhe shpenzimet e përmbaruesit privat. Me shkyçje do të përballet secili konsumatorë që ka borxh mbi 100 euro ndaj shërbimeve të ujit. Borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 46 milionë euro”, përfundon njoftimi.

Në fund, kompania falënderon të gjithë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat.