Në shenjë pakënaqësie me ndihmën e shtetit, gastronomët thyejnë pjata para ndërtesës së Qeverisë

Në shenjë pakënaqësie me ndihmën e shtetit, gastronomët thyejnë pjata para ndërtesës së Qeverisë

Ekonomia September 20, 2020 - 14:29

U bënë tash e sa muaj prej kur gastronomët i kanë kërkuar Qeverisë që të ndihmojnë këtë sektor të mos falimentojë si pasojë e koronavirusit me të cilin po përballet vendi.

Ora policore, e cila fillon prej 22:30, në vendin tonë ka bërë që gastronomët të kenë vështirësi ekonomike në bizneset e tyre, e për këtë ata kërkuan edhe shfuqizimin e këtyre masave, shkruan Zeri.info.

Për të shprehur pakënaqësitë e tyre, Shoqata e Gastronomëve është mbledhur sot para Qeverisë duke thyer pjata. Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, kërkoi nga të gjithë gastronomët e Kosovës që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 25 shtator.

“Përmes këtij akti simbolik po shprehim pakënaqësitë tona ndaj mospërkrahjes financiare nga institucionet e Kosovës si dhe mosshfuqizimin e masave ndaj gastronomisë. Po ashtu, iu bëjmë thirrje gjithë gastronomëve që t’i bashkëngjiten këtij aksioni simbolik, e po ashtu edhe protestës më 25 shtator në ora 14:00, para parlamentit dhe Qeverisë”, tha Kllokoqi. /Zëri